Vendosni fjalën kyçe....

Prezantuesja afrikano-jugore në gjyq nën akuzën e rekrutimit të mercenarëve për Rusinë në Ukrainë



Një prezantuese e radios në Afrikën e Jugut u paraqit të hënën në gjykatë, e akuzuar për rekrutimin e burrave që do të shkonin të luftonin për ushtrinë ruse në Ukrainë. Sipas policisë, Nonkululeko Mantula u arrestua pas një sinjalizimi dhe akuzohet se ka rekrutuar katër burra, të cilët u arrestuan bashkë me të, si dhe se ka organizuar udhëtimet e tyre drejt Rusisë, përcjell DW.

Gjykata e shtyu çështjen për datën 8 dhjetor, kur pritet të shqyrtohet kërkesa për lirimin me kusht. Deri atëherë, të pesë të akuzuarit do të qëndrojnë në paraburgim.

Policia njoftoi se tre nga burrat u kapën në aeroport, teksa po tentonin të fluturonin drejt Rusisë përmes Emirateve të Bashkuara Arabe. Hetuesit besojnë se Mantula ka mundur të rekrutojë të paktën edhe një person tjetër, i cili tashmë ndodhet në Rusi.

Mantula punon si prezantuese në SAFM, pjesë e transmetuesit publik të Afrikës së Jugut. Rasti i saj vjen menjëherë pas një hetimi tjetër të bujshëm që përfshin vajzën e ish-presidentit Jacob Zuma.

Duduzile Zuma-Sambudla, e akuzuar së bashku me dy persona të tjerë, dyshohet se ka mashtruar 17 burra duke i bindur të udhëtojnë drejt Rusisë me premtimin se do të punonin, por që në fakt do të përfundonin të rekrutuar për luftën në Ukrainë. Ajo dha dorëheqjen nga posti i deputetes pas publikimit të akuzave.

Ligji në Afrikën e Jugut ndalon qytetarët të bashkohen me ushtrinë e një shteti të huaj pa autorizim qeveritar. Ndërkohë, Rusia është akuzuar vazhdimisht për rekrutimin e të huajve për luftën në Ukrainë, shpesh duke përdorur oferta të rreme pune.

Ka pasur edhe raste të grave afrikane të mashtruara me njoftime për punë në sektorin e mikpritjes, të cilat më pas kanë përfunduar në fabrika dronësh në Rusi.

Qeveria e Afrikës së Jugut ka paralajmëruar kohët e fundit qytetarët për fushata të rreme në rrjetet sociale që ofrojnë punë apo mundësi studimi në Rusi, duke paralajmëruar se shumë prej tyre mund të jenë skema rekrutimi për luftë.