
Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, mbajti një fjalim të ashpër gjatë protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, ku akuzoi qeverinë Rama për kapje të shtetit, keqqeverisje dhe mbrojtje të korrupsionit në nivelet më të larta.
Kaso e nisi fjalën duke kujtuar thënien historike të presidentit amerikan Ronald Reagan: “Qeveria nuk është zgjidhja, por problemi”, duke theksuar se sot kjo vlen edhe më shumë për Shqipërinë.
Ai e përshkroi qeverinë aktuale si “një bandë kaçakësh që ndjekin urdhrat e kryekaçakut”, duke akuzuar Ramën për varfërimin e vendit dhe largimin e qytetarëve drejt emigracionit.
Duke iu referuar debatit për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, Kaso tha se kryeministri po mashtron publikun kur thotë se ministrat nuk mund të pezullohen nga drejtësia. Ai solli shembuj nga vendet europiane:
“Në Rumani u pezulluan tre ministra për korrupsion. Në Itali ish-ministrja e bujqësisë u pezullua. Në Francë, dy ministra u shkarkuan në periudha të ndryshme. Kjo është e vërteta”, u shpreh Kaso.
Ai akuzoi Ramën se duke refuzuar shkarkimin e Ballukut, po mbron vetëm veten, duke shtuar: “Rama e di se me arrestimin e Ballukut, më pas është radha e tij. Ose i di dhe është i korruptuar, ose nuk i di dhe është i mangët, në të dyja rastet duhet të ikë”.
Kaso theksoi gjithashtu që Komisioni i Venecias ka qëndrim të qartë: askush nuk është mbi ligjin, veçanërisht për vepra të rënda penale si korrupsioni.
Në përmbyllje, ai përmendi skandale të tjera që lidhen sipas tij me Ramën, duke përfshirë tenderat e dyshimtë, pastrimin e parave dhe rrugën Qukës–Qafë Plloçë që u shemb nga shiu i parë.