
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot fjalimin e tij në Foltoren e radhës përpara Kryeministrisë, ku lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i quajtur “hajdutët më të mëdhenj të kombit”.
Berisha e nisi fjalën duke i drejtuar protestuesit me fjalët: “Opozitarë dhe opozitare në këtë shesh që ne e kemi pagëzuar ‘sheshi i lirisë’. Ky është sheshi i misionit të madh të burrave dhe grave, djemve dhe vajzave guximtare, për të përzënë një bandë të zhytur në krim dhe vjedhje ndër më të rëndat në historinë e këtij kombi.”
Ai akuzoi qeverinë se ka kthyer dekadën e fundit në periudhën më të errët të vendit.
“Kemi njohur shumë pushtime, por asnjëherë nuk kemi shkuar brenda 10 viteve, 100 vite prapa si këto vite. Nuk kemi humbur 45% të materies kombëtare si këto 10 vite. Nuk jemi varfëruar më shpejt se këto 10 vite,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, këto ditë vendi po përjeton një krizë që ka ekspozuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kreun e qeverisë.
“Jemi dëshmitarë të një krize ndër më të paimagjinueshmet. Një krizë që zhveshi, lakuriq, hajdutin më të madh të kombit, Edi Ramën,” u shpreh ai.
Berisha u ndal te hetimet ndaj Belinda Ballukut dhe dëmi i pretenduar prej 50 milionë eurosh, duke thënë se pikërisht këto dokumente e detyruan Ramën të “zbulojë veten”.
“U desh akuza e bazuar në dokumentet zyrtare të vjedhjes së 50 milionë eurove nga zv.kryeministrja për të bërë që Edi Rama t’u thotë shqiptarëve: ‘Hajduti jam unë’, dhe se drejtësisë i tregon bërrylin. Kjo nuk ka ndodhur kurrë,” theksoi Berisha.
Ai vazhdoi duke akuzuar kryeministrin për përfshirje direkte në aferë.
“Cilido tjetër do të kishte vetëm një rrugë, largimin e menjëhershëm. Por paratë i ka marrë ai. I kanë ndarë së bashku,” tha ai.
Berisha sulmoi edhe deklaratat e Ramës ditët e fundit: “Rama ka dy ditë që ka humbur çdo gjë dhe në një përçartje të neveritshme mbron haptas: ‘Po mbroj ministren, nuk po mbroj Lubinë’. Por të dy jeni hajdutë,” theksoi ai para turmës.
Në fund, ai akuzoi kryeministrin se po ushtron presion ndaj Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur veten.
“Ajo që i bën GJK-së fakton se ti je hajduti kryesor i kësaj afere,” përfundoi Berisha.