
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar atë se ka ushtruar “presion të hapur” ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe ka manipuluar opinionin publik me interpretime të pavërteta.
Reagimi i Berishës vjen pasi Rama deklaroi të dielën në podcastin e tij Flasim se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut ishte antikushtetues dhe se, sipas Komisionit të Venecias dhe Gjykatës së Strasburgut, ministrat nuk mund të shkarkohen nga gjykatat.
Berisha e cilësoi këtë deklaratë si “mashtrim publik”, duke thënë se shkelja nuk qëndron te vendimi gjyqësor, por te pretendimet e kryeministrit.
Në mesazhin e tij, kryedemokrati u shpreh:
“Dje pamë një akt të pashembullt: Edi Rama ushtroi presion të hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke mashtruar shqiptarët dhe Europën me interpretimet e tij të rreme për Komisionin e Venecias. Antikushtetuese nuk është pezullimi i një ministri por mashtrimi i Ramës!”