Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Rama po bën avokatinë e të pandehurës Balluku, pranoi se është palë në procesin gjyqësor


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi të hënën pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, duke e akuzuar atë se po mbron publikisht ish-ministren e pandehur dhe po shmang detyrimin për të dhënë shpjegime ligjore.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi tha se Rama “foli 7 minuta e 38 sekonda në një përpjekje të sforcuar për të justifikuar avokatinë e paprecedent të të pandehurës Belinda Balluku, që e mban peng me aferat e përbashkëta korruptive”.

Sipas tij, qytetarët prisnin që kryeministri të sqaronte deklaratat e një dite më parë, kur ai pretendoi se Komisioni i Venecias dhe Gjykata e Strasburgut ndalonin pezullimin e një ministri nga detyra.

Bardhi tha se Rama nuk solli asnjë dokument për të mbështetur pretendimin dhe se zgjodhi sulmet politike ndaj opozitës.

Shqiptarët prisnin t’iu thoshte se në cilin opinion të Venecias apo vendim të Strasburgut thuhej se ministri nuk mund të pezullohej. Në vend të kësaj, ai u hodh me akuza e sharje ndaj opozitës që çmontoi gënjeshtrat e tij,” shkroi Bardhi, duke e cilësuar Ramën “shkollëpak dhe të marrë peng”.

Deputeti demokrat nënvizoi se deklarata e sotme e kryeministrit përfshinte, sipas tij, një pranim të drejtpërdrejtë se Rama është “palë në procesin gjyqësor ndaj Belinda Ballukut”, ashtu siç pretendon se është përfshirë edhe në aferën e Tunelit të Llogarasë.

“Nëse Rama vetë deklaron se është palë, atëherë është detyrë e SPAK dhe GJKKO ta thërrasin si të tillë,” përfundoi Bardhi, duke shtuar se “herës tjetër prokurori i SPAK dhe gjyqtari i GJKKO duhet ta thërrasin si palë në korrupsion, krah për krah me të pandehurën Belinda Balluku”.