Vendosni fjalën kyçe....

Skadon sot afati për njoftimin e koalicioneve për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë



Sot përfundon afati ligjor për partitë politike të regjistruara që të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 përmes koalicioneve. Afati ka qenë i hapur prej datës 24 nëntor dhe skadon brenda ditës së sotme.

Sipas KQZ-së, deri dje në orën 13:00 janë dorëzuar njoftimet për dy koalicione zgjedhore:

— PAI – PDAK – LPB, i përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB).
— VAKAT, i përbërë nga Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV).

Ndërkohë, pasditen e djeshme Partia e Drejtësisë njoftoi se do të garojë në listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke rritur numrin e subjekteve që kanë zgjedhur të bashkojnë forcat për këto zgjedhje.

Ligji zgjedhor përcakton se një koalicion mund të formohet nga të paktën dy parti politike. Pas certifikimit të një koalicioni, asnjëra prej partive nuk mund të tërhiqet apo të garojë veçmas, as të bëhet pjesë e një koalicioni tjetër.

Në orët e mbetura deri në mbylljen e afatit, mbetet të shihet nëse do të ketë njoftime të tjera për koalicione të reja, apo nëse votuesit më 28 dhjetor do të zgjedhin mes koalicioneve tashmë të paraqitura në KQZ.