Vendosni fjalën kyçe....

Parakalim të gabuar e xhirim gomash, ndëshkohen katër drejtues mjetesh në Elbasan


Tre drejtues mjetesh dhe drejtuesi i një motori janë ndëshkuar nga Policia Rrugore e Elbasanit pas disa videove të shfaqura në rrjetet sociale.

Dy drejtues mjetesh janë ndëshkuar me nga 10 mijë lekë të reja gjobë për parakalim të gabuar, ndërsa i treti me 40 mijë lekë të reja për manovra të rrezikshme në rrugë.

Ndërsa drejtuesi i motorit është ndëshkuar me 57 mijë lekë të reja gjobë pasi përveç manovrave të rrezikshme në rrugë, nuk kishte vënë as kaskën mbrojtëse në kokë.

Njoftimi

“Bazuar në 4 video të publikuara në rrjete sociale, në të cilat shfaqen 3 automjete dhe 1 motomjet që kryejnë manovra të rrezikshme për veten e tyre dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, bëjmë me dije se:

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kryen verifikimet dhe ndëshkuan administrativisht drejtuesit si më poshtë:

Është ndëshkuar me masë administrative 40 000 lekë, sipas pikave 3 dhe 5 të nenit 139 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit që bëri drift me automjet dhe nuk rregulloi shpejtësinë në zonë të banuar e të frekuentuar nga njerëzit;

Është ndëshkuar me masë administrative 57 000 lekë, sipas pikës 11 të nenit 99, pikës 8 të nenit 139, pikës 5 të nenit 153, pikës 2 të nenit 169, pikës 3 të nenit 139 dhe pikës 2 të nenit 99 të Kodit Rrugor, drejtuesi i motomjetit që qarkulloi me mjet pa vendosur kaskën mbrojtëse, si dhe kreu manorva të rrezikshme me mjet, duke rrezikuar veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës;

Është ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë, sipas pikave 10 dhe 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit që ka kryer parakalim të gabuar në aksin “Prrenjas–Librazhd”;

Është ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë, sipas pikave 10 dhe 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit (të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit) që ka kryer parakalim të gabuar në aksin “Librazhd–Qafë Thanë”.”