
OpenAI, pronari i ChatGPT, mund të ketë nevojë të mbledhë më shumë se 200 miliardë dollarë deri në vitin 2030 për të vijuar të funksionojë, sipas një hulumtimi të HSBC të cituar nga disa media.
Kompania ka nevojë për financimin për të vijuar zgjerimin ndërsa kostot e kompjuterizimit rriten mes një gare globale të AI që po përshpejtohet dhe bëhet gjithnjë e më e çmendur.
Modeli I përditësuar i hulumtimit të HSBC, i shpërndarë te klientët këtë javë, pason marrëveshjet e fundit afatgjata të OpenAI për cloud dhe compute me Microsoft, Amazon dhe Oracle. Edhe sipas supozimeve optimiste të bankës, modeli ende i lë OpenAI një hendek financiar prej rreth 207 miliardë dollarësh deri në fund të dekadës, me të ardhura të pritshme në 129 miliardë dollarë.
HSBC thuhet se ka vlerësuar që fatura e qirasë së cloud-it të OpenAI mund të shkojë në rreth 800 miliardë dollarë në total deri në vitin 2030. Ajo ende parashikon rritje shpërthyese të përdoruesve, duke thënë se ChatGPT mund të arrijë në 3 miliardë përdorues të rregullt deri në vitin 2030, krahasuar me rreth 800 milionë muajin e kaluar, rreth 44% e të rriturve në mbarë botën jashtë Kinës, shkruan Rt.
OpenAI ka qenë në qendër të bumit të AI që kur u prezantua ChatGPT tre vjet më parë, duke tërhequr një interes të madh investitorësh ndërsa gjigantët e teknologjisë derdhin dhjetëra miliarda në qendra të dhënash dhe çipa të përaruar. Disa analistë kanë paralajmëruar se rritja mund të shkaktojë formimin e një flluske, me shpenzimet që garojnë përpara kthimeve dhe duke rritur rreziqet jo vetëm për OpenAI, por edhe për gjigantët e teknologjisë që mbështesin zgjerimin e saj.
Kompanitë teknologjike po përpiqen të mbajnë ritmin me shërbimet e stilit ChatGPT që kanë sfiduar kontrollin e tyre mbi kërkimin online dhe kanë shtyrë investimet në të gjithë sektorin në nivele rekord.
Në tetor, OpenAI kaloi SpaceX-in e Elon Musk-ut për t’u bërë kompania private më e vlefshme në botë pasi një shitje e aksioneve të punonjësve prej 6.6 miliardë dollarësh e vlerësoi atë në rreth 500 miliardë dollarë.