Vendosni fjalën kyçe....

Një nga terminalet më të mëdha ruse pezullon operacionet pas sulmit me dronë



Një nga terminalet më të mëdha të naftës në Rusi ka pezulluar aktivitetin pas një sulmi me dronë gjatë natës. Terminali detar i Caspian Pipeline Consortium (CPC) në Novorossiysk u godit rreth orës 04:00 të mëngjesit nga dronë detarë, raportuan mediat lokale për Euronews. CPC përpunon kryesisht naftën e Kazakistanit dhe siguron rreth 80% të eksporteve të naftës së këtij vendi.

Ministri i Energjisë së Kazakistanit e quajti sulmin ndaj kësaj infrastrukture civile kritike “të papranueshëm”, duke theksuar se është aktivizuar një plan për devijimin e eksporteve drejt rrugëve alternative. Në reagimin zyrtar u nënvizua se çdo goditje ndaj këtij projekti ndërkombëtar të energjisë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë globale energjetike dhe dëmton interesat ekonomike të pjesëmarrësve të konsorciumit, përfshirë Kazakistanin.

Sulmi ndaj terminalit ndodhi vetëm pak orë pasi dy cisterna nafte, të konsideruara pjesë e “flotës së hijes” së Rusisë që përdoret për të shmangur sanksionet, u goditën nga dronë detarë në Detin e Zi, pranë Turqisë. Ukraina ka marrë përgjegjësinë për sulmet.

Cisterna e parë, Kairos, me flamur të Gambias, shpërtheu dhe mori flakë rreth 28 milje detare nga brigjet e provincës turke Kocaeli, ndërsa lundronte pa ngarkesë nga Egjipti drejt portit rus të Novorossiyskut. Menjëherë pas kësaj, u raportua goditja e një tanker tjetër, Virat, rreth 35 milje detare nga bregu turk.

Të dy anijet ndodhen në listën e sanksioneve ndërkombëtare për shkak të luftës së nisur nga Rusia më 2022. SHBA, BE, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë vendosur pasoja ndaj tyre gjatë këtij viti.

Një zyrtar i shërbimeve të sigurisë të Ukrainës i tha Associated Press se sulmet u kryen me dronët detarë “Sea Baby” të prodhuar në vend, të cilët janë në gjendje të transportojnë sasi nafte me vlerë mbi 60 milionë euro. Ai shtoi se inteligjenca ukrainase po vazhdon “të ndërmarrë hapa aktivë për të kufizuar kapacitetet financiare të Rusisë për të zhvilluar luftën”.