Vendosni fjalën kyçe....

Katër të vrarë dhe 10 të plagosur në një sulm të armatosur gjatë një feste fëmijësh në Kaliforni



Policia në qytetin Stockton të Kalifornisë ka njoftuar se katër persona kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur mbrëmjen e së shtunës, pas një të shtënë masive të ndodhur gjatë një mbledhjeje familjare, përcjell DW.

Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 me kohën lokale (02:00 GMT), në një festë ditëlindjeje për fëmijë. Zëvendëskryebashkiaku i Stockton-it, Jason Lee, deklaroi se është në komunikim të vazhdueshëm me policinë dhe se do të kërkojë sqarime të menjëhershme mbi rrethanat e këtij sulmi.

San Joaquin County Sheriff’s Office konfirmoi në një deklaratë në rrjetet sociale se rreth 14 persona janë goditur nga plumbat, ndërsa katër prej tyre kanë ndërruar jetë. Autoritetet theksuan se hetimet janë në fazat e para dhe informacioni mbetet i kufizuar. Nuk janë dhënë detaje për autorin apo autorët e mundshëm të sulmit.

Sipas policisë, të dhënat fillestare sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme për të zbardhur motivin e incidentit.

Ngjarja vjen në një vit ku dhuna me armë në Shtetet e Bashkuara ka shënuar shifra alarmante. Sipas “Gun Violence Archive”, mbi 360 persona janë vrarë dhe më shumë se 1,600 janë plagosur në 379 sulme masive vetëm gjatë këtij viti.