Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthime në dy cisterna të sanksionuara pranë brigjeve të Turqisë, vijojnë operacionet e shpëtimit


Shpërthime të forta kanë goditur dy cisterna të flotës së errët ruse në Detin e Zi, pranë ngushticës së Bosforit në Turqi, duke shkaktuar zjarr në bord dhe duke vënë në lëvizje operacione të menjëhershme shpëtimi.

Autoritetet turke konfirmuan se incidentet kanë ndodhur të premten, teksa të dyja anijet rezultojnë të jenë pjesë e listës së sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

Sipas Ministrisë turke të Transportit, cisterna Kairos, 274 metra e gjatë, pësoi një shpërthim ndërsa ishte në lundrim nga Egjipti drejt Rusisë. Anija raportoi një “goditje të jashtme” rreth 28 milje detare nga bregu turk, përpara se të përfshihej nga flakët, përcjell Reuters.

Në vendin e ngjarjes u dërguan dy mjete të shpejta shpëtimi, një rimorkiator dhe një mjet emergjence, ndërsa të 25 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan në gjendje të sigurt.

Pak më në lindje të Detit të Zi, rreth 35 milje detare larg bregut, një tjetër cisternë, Virat, dyshohet se u godit nga një incident i ngjashëm. Në dhomën e motorit u raportua tym i dendur, por 20 anëtarët e ekuipazhit rezultuan në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut.

Të dhënat e LSEG tregojnë se Kairos dhe Virat janë pjesë e anijeve të sanksionuara që operojnë në “flotën e errët” ruse, një rrjet i gjerë anijesh që përdoren shpesh për të shmangur kufizimet ndërkombëtare.

Agjencia detare Tribeca bëri të ditur se Kairos lundronte nën flamurin gambian dhe se hetimet paraprake sugjerojnë mundësinë që anija të ketë goditur një minë detare. Vitet e fundit, disa mina janë gjetur të lundrojnë të shkëputura në Detin e Zi, duke rritur rrezikun për mjetet lundruese.

Pavarësisht incidenteve të rënda, autoritetet njoftuan se trafiku detar në ngushticën e Bosforit ka vijuar normalisht. Hetimet mbi shkaqet e shpërthimeve janë ende në zhvillim.