
Duket si një lojë e madhe shahu, me gurët amerikanë që shtrëngojnë kontrollin rreth Venezuelës.
Makineria ushtarake amerikane pushton gjithmonë pozicione të reja: të fundit janë bazat e dhëna nga presidenti i Republikës Dominikane, Luis Abinader, drejtpërdrejt sekretarit të Luftës, Pete Hegseth.
Tani avionët luftarakë dhe ushtarët mund të përdorin strukturën ushtarake të San Isidros dhe një sektor të aeroportit ndërkombëtar të Santo Domingos, i mbipopulluar me charter-a turistikë.
Trupat amerikane janë vendosur tashmë në ishullin Trinidad e Tobago dhe në Salvador, por zemra e operacionit “Southern Spear” është në Porto Riko, ku pa ndërprerje zbarkojnë aeroplanët cargo të mbushur plot me pajisje.
Karakasi nën presion
Dislokimi është mbresëlënës dhe mban nën presion Karakas-in me një shfaqje muskulore të avionëve luftarakë dhe bombarduesve. Ditë e natë F18 Hornet të aeroplanmbajtëses Ford dhe F35 të zhvendosur në Porto Riko afrohen deri pranë bregdetit venezuelan, shpesh të shoqëruar nga gjigantët B52.
Marinsat simulojnë zbarkime dhe inkursione, duke treguar mjetet për neutralizimin e kërcënimit të dronëve: helikopterët e blinduar Cobra nisen me raketa ajër-ajër anash trupit.
Të hënën e kaluar është dekretuar njohja e kartelit të narkotrafikantëve “Los Soles” si organizatë terroriste: një lëvizje që mund të japë legjitimitet juridik për një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë.
Uashingtoni prej vitesh e ka akuzuar presidentin Maduro për marrëdhëniet e tij me këtë klan trafikantësh kokaine, që thuhet se mbrohet dhe mbështetet nga ushtria vendase.
“Është një vendim që i jep më shumë opsione presidentit për të thënë një herë e përgjithmonë se hemisferi ynë nuk do të kontrollohet nga narkoterroristët, kartelët, regjimet joligjore që ngacmojnë popullin amerikan”, ka deklaruar Hegseth, i cili megjithatë nuk ka konfirmuar vullnetin për të sulmuar: “Është thjesht një çështje mundësish operative, të cilat ne dimë t’i planifikojmë më mirë se çdo komb tjetër”.
Objektivi amerikan: ndryshim regjimi apo veprim demostrativ?
Pra, gjithçka është gati për të hapur armiqësitë, por Shtëpia e Bardhë vazhdon të fitojë kohë. Trump të mërkurën nuk përjashtoi mundësinë për të folur me Maduron, duke përsëritur se “ai është njohur si udhëheqësi i një organizate terroriste.
Por nëse bëhet fjalë të shpëtojmë jetë njerëzish dhe nëse mund t’i bëjmë gjërat me mënyra të mira, atëherë mirë. Por nëse duhet të veprojmë me mënyra të këqija, atëherë mirë po ashtu”.
Forcat e rreshtuara në Karaibe janë të mëdha: aeroplanmbajtësja Ford, dhjetë ndër avionë luftarakë dhe fregata, dy anije “të gjitha-dërrasë” për operacione amfibe, të paktën një nëndetëse bërthamore, një task-force me 2.500 marinsa të pajisur me mjete të blinduara, një grup incursori.
Në total janë pothuajse 15 mijë ushtarakë, me të paktën 55 avionë luftarakë-bombardues, dy aeroplanë zjarri AC-130 Ghostrider dhe rreth dyqind raketa cruise gati për t’u lëshuar. Një masë e tillë mjetesh dhe personeli që sipas disa vlerësimeve kushton 30 milionë dollarë në ditë, por që është shumë e vogël për një pushtim tokësor.
Kjo ngre sërish pyetjet për objektivin final të Shtëpisë së Bardhë: synon një ndryshim regjimi apo thjesht dëshiron të vërë në skenë një veprim demonstrativ?
Avionët luftarakë dhe raketat mund t’i hapin rrugën kryengritjes së disa brigadave venezuelane – spontane ose të nxitura nga CIA – për të mbështetur një revoltë demokratike të rrugës, e dëshiruar nga fituesja e çmimit Nobel Maria Corina Machado: “Momenti vendimtar është i afërt”, ka thënë liderja e opozitës në mërgim, duke ftuar ushtarakët të mos binden.
Një skenar që Maduro përpiqet ta parandalojë duke përqendruar njësitë më besnike në kryeqytet, ku po ndërtohen fortifikime rreth kazermave.
Njësitë e tij kanë pak avionë interceptorë Sukhoi 30 dhe raketa tokë-ajër S300; nuk janë në gjendje të përballen me aviacionin amerikan. Për këtë arsye, gjeneralët e Karakasit duan të rrisin përdorimin e dronëve me dizajn iranian, identikë me ata të hedhur në masë nga Houthi-t jemenas në Detin e Kuq dhe nga rusët në sulmet ndaj Ukrainës.
Ndihma ruse për Venezuelën
Moska ka dërguar një skuadër instruktorësh të zgjedhur për t’i mësuar si t’i pilotonin në mënyrë që t’i shpëtonin mbrojtjes ajrore dhe për të montuar bomba fluturuese të drejtuara me kabllo me fibër optike, imune ndaj ndërhyrjeve elektronike.
Në total mendohet se ka 120 “këshilltarë ushtarakë” rusë: sipas inteligjencës ukrainase, ata drejtohen nga gjenerali Oleg Leontievich Makarevich. Në pranverën e vitit 2022 Makarevich ka komanduar frontin jugor të pushtimit dhe është hequr pas kundërsulmit ukrainas që rimori Khersonin: konsiderohet një oficer ekspert dhe me ndjenjë të mprehtë taktike, cilësia kryesore për të përgatitur venezuelanët për skenarin më të keq.
Për momentin, nismat e vetme të Pentagonit kanë të bëjnë me anijet e trafikantëve. Deri më 17 nëntor, dronët Reaper kanë shkatërruar 21 motorçafa duke vrarë të paktën 82 persona, të konsideruar narkoterroristë edhe pa u identifikuar.
Sulme që kanë një bazë ligjore të dyshimtë, aq sa një muaj më parë drejtuesi i Komandës Jugore amerikane, gjenerali Alvin Holsey, dha dorëheqjen pa dhënë shpjegime: një lëvizje pa precedent në historinë ushtarake të SHBA-së./La Repubblica