Vendosni fjalën kyçe....

Uzbekistani drejt shtetit “zero burokraci” dhe trajnimit të 5 milionë ekspertëve të AI deri në 2030



Uzbekistani ka nisur reforma të mëdha me synimin që deri në vitin 2030 të eliminojë burokracinë e tepërt dhe të shndërrohet në një shtet plotësisht digjital. Presidenti Shavkat Mirziyoyev njoftoi se vendi do të zbatojë një program kombëtar për trajnimin e pesë milionë qytetarëve në fushën e inteligjencës artificiale, duke përfshirë nxënës, mësues dhe punonjës të administratës, përcjell Euronews.

Në dy forume të mbajtura në Tashkent, të cilat u ndoqën edhe nga zyrtarë të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe partnerë ndërkombëtarë, presidenti Mirziyoyev theksoi se objektivi kryesor është ndërtimi i një “vend me zero burokraci”. Ai kujtoi se vitet e fundit janë miratuar nëntë dokumente dhe dekrete për modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve shtetërore.

Programi i ri parashikon zgjerimin e shërbimeve publike në 1,500, ku 95% do të jenë elektronike. Vetëm vitin e ardhshëm 250 shërbime do të digjitalizohen, përfshirë regjistrimin e makinave dhe rimbursimin e TVSH-së. Qeveria synon të kalojë plotësisht në dokumentacion pa letër, të thjeshtojë mbi 300 shërbime të licencimit dhe lejeve, të përgjysmojë kohën e marrjes së dhjetëra shërbimeve dhe të eliminojë më shumë se 110 certifikata të panevojshme.

Shërbimet e bazuara në inteligjencën artificiale, si portali i shërbimeve qeveritare dhe qendra e thirrjeve, janë tashmë funksionale. Po ashtu, një platformë e re digjitale do të vlerësojë çdo vit punën e ministrive, ndërsa një fond prej 3 milionë dollarësh do të shpërblejë iniciativat që reduktojnë burokracinë.

Në forumin e dytë, të dedikuar inteligjencës artificiale, u prezantua programi “5 Million AI Prompters”, i zhvilluar në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai synon trajnimin e 4.75 milionë nxënësve, 150 mijë mësuesve dhe 100 mijë punonjësve publikë deri në vitin 2030. Janë vënë në dispozicion 100 milionë dollarë për integrimin e inteligjencës artificiale në shkolla, arsimin profesional dhe universitetet. Presidenti propozoi gjithashtu që nëntori të shpallet Muaji i Inteligjencës Artificiale për të Rinj dhe të krijohet Forumi “Silk Road AI”.

Zyrtarët e Emirateve vlerësuan përpjekjet e Uzbekistanit, duke theksuar se vendi po ndërton një model unik të administratës digjitale dhe arsimit masiv në AI. Me këto reforma të gjera për reduktimin e burokracisë dhe zhvillimin e teknologjisë, Uzbekistani po synon të shndërrohet në një lider rajonal të transformimit digjital.