
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar një ashpërsim të politikës së tij ndaj migrantëve, duke premtuar se do të “pezullojë përherë migracionin” nga të gjitha “vendet e botës së tretë”, duke fajësuar refugjatët për “peshën e refugjatëve” në vend.
Ky postim në rrjetet sociale erdhi pas njoftimit për vdekjen e një anëtari të Gardës Kombëtare pas një sulmi me armë në Washington DC, për të cilin është fajësuar një shtetas afgan, Rahmanullah Lakanwal, përcjell BBC.
Trump nuk ka dhënë detaje shtesë se cilat vende do të përfshihen, ndërsa masa mund të përballet me sfida ligjore dhe ka nxitur reagime nga agjencitë e OKB-së.
Përveç pezullimit të migracionit, Trump ka paralajmëruar ndalimin e të gjitha përfitimeve federale për të huajt dhe rishikimin e kartave të gjelbra për migrantët nga 19 vende, duke përfshirë Afganistanin, Kubën, Haitin, Iranin, Somalinë dhe Venezuelën.
Sulmuesi i DC-së, Rahmanullah Lakanwal, kishte punuar më parë me CIA-n në Afganistan dhe kishte ardhur në SHBA në vitin 2021 përmes një programi special migracioni për afganët që kishin bashkëpunuar me forcat amerikane.
Ai më vonë aplikoi për azil në vitin 2024, i cili iu miratua këtë vit, dhe kërkesa e tij për kartë të gjelbër mbetet në pritje.
Trump e ka cilësuar incidentin si “akt terrori”, duke njoftuar se një nga dy anëtarët e Gardës Kombëtare të qëlluar ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri po lufton për jetën.