
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka marrë dhjetëra telegrame dhe letra urimi nga mbarë bota me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Udhëheqës të vendeve të rajonit, Europës dhe më gjerë kanë shprehur përmes mesazheve të tyre vlerësimin dhe respektin për këtë ditë të shënuar të shqiptarëve.
Ndër urimet e mbërritura, veçohet telegrami i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, i cili i ka përcjellë Presidentit Begaj një mesazh të posaçëm, duke shprehur vullnetin e SHBA për forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Shqipërinë.
Në telegramin e tij, Presidenti Trump shkruan: “Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira juve dhe popullit të Shqipërisë ndërsa festoni pavarësinë tuaj.”
Ai vlerëson marrëdhëniet dypalëshe si tepër të forta dhe të ndërtuara mbi lidhje të ngushta sigurie, ekonomike dhe njerëzore.
“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë të krijuar nga lidhje të ngushta sigurie, ekonomike dhe njerëzore.”
Presidenti Trump thekson gjithashtu synimin e administratës amerikane për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha kyçe.
“Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë.”
Mesazhi i Trump:
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira juve dhe popullit të Shqipërisë ndërsa festoni pavarësinë tuaj.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë të krijuar nga lidhje të ngushta sigurie, ekonomike dhe njerëzore. Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë. Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”