
Të paktën 94 persona kanë humbur jetën pasi një zjarr i madh përfshiu një godinë të lartë banimi në Hong Kong të mërkurën, duke u përhapur me shpejtësi edhe në ndërtesat përreth. Dhjetëra banorë ende rezultojnë të zhdukur, ndërsa ekipet e zjarrfikësve dhe shpëtimit po vijojnë operacionet intensive deri të premten, përcjell Euronews.
Zjarri shpërtheu në Wang Fuk Court, në rajonin e Tai Po, një zonë malore në New Territories. Flakët u përhapën në shtatë nga tetë kullat 32-katëshe të kompleksit, pasi materialet e ndërtimit dhe skelat prej bambuje në fasadat e godinave morën zjarr.
Rreth 900 nga 4,800 banorët u evakuuan natën drejt strehave të përkohshme, ndërsa qindra të tjerë mbetën të bllokuar në apartamente. Zjarrfikësit, me elektrikë në duar, po kontrollonin një nga një apartamentet që vijojnë të nxjerrin tym.
Zëvendësdrejtori i Shërbimeve të Zjarrit, Derek Armstrong Chan, tha se “operacioni i shuarjes është drejt përfundimit”, por puna më e vështirë mbetet kërkimi dhe shpëtimi. Autoritetet kanë humbur kontakt me 279 persona që prej të enjtes në mëngjes dhe nuk ka ende bilanc të qartë për numrin e të zhdukurve.
Tre persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen: dy drejtues të projektit të rikonstruksionit dhe një konsulent inxhinierik i kompanisë së ndërtimit. Ata po hetohen për vrasje nga pakujdesia. Policia ka bastisur zyrat e Prestige Construction & Engineering Co., kompania përgjegjëse për punimet e fasadave.
Hetimet paraprake sugjerojnë se disa materiale të përdorura në punimet e jashtme – përfshirë panele plastike që përdoren për mbrojtjen e dritareve – nuk i përmbanin standardet e rezistencës ndaj flakës. Erërat e forta e përshpejtuan më tej përhapjen e zjarrit.
Wang Fuk Court është një kompleks banesash të subvencionuara nga shteti, i ndërtuar në vitet 1980. Si shumë ndërtesa të vjetra në Hong Kong, ato duket se nuk janë të pajisura me detektorë tymi, sisteme sprinklerash apo kate speciale refugji, të cilat u bënë të detyrueshme me ndryshimet e fundit në kodin e sigurisë.
Zjarri është më vdekjeprurësi në Hong Kong prej dekadash. Ngjarja më e fundit e përmasave të mëdha daton në vitin 1996, kur 41 persona humbën jetën në një godinë tregtare në Kowloon.