Vendosni fjalën kyçe....

Rusia kërcënon me bllokim total të WhatsApp nëse nuk zbaton ligjin rus


Roskomnadzor, organi shtetëror rus i komunikimeve, ka kërcënuar të premten se do të bllokojë plotësisht WhatsApp nëse platforma nuk zbaton kërkesat ligjore të Rusisë, raportojnë agjencitë e lajmeve, përcjell Reuters.

Që prej muajit gusht, Rusia ka filluar të kufizojë disa thirrje në WhatsApp, në pronësi të Meta Platforms dhe në Telegram, duke akuzuar platformat e huaja se kanë refuzuar të ndajnë të dhëna me autoritetet për raste mashtrimi dhe terrorizmi.

Roskomnadzor njoftoi sërish sot se aplikacioni nuk po i përmbahet rregullave ruse që synojnë parandalimin dhe luftimin e krimit.

“Nëse shërbimi i mesazheve vijon të mos i përmbushë kërkesat e legjislacionit rus, ai do të bllokohet plotësisht,” citoi agjencia Interfax deklaratën e institucionit.

Whatsapp akuzon Moskën se po përpiqet t’u heqë miliona rusëve aksesin në komunikim të sigurt.

Ndërkohë, autoritetet ruse po promovojnë një aplikacion rival të mbështetur nga shteti, të quajtur MAX, për të cilin kritikët thonë se mund të përdoret për gjurmimin e përdoruesve.

Mediat shtetërore ruse i kanë mohuar këto akuza si të pavërteta.