
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka sfiduar edhe një herë aleatët evropianë dhe të NATO-s, duke u takuar në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, vetëm pak ditë para bisedimeve të pritshme Rusi–SHBA për nismën amerikane që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Orban, i konsideruar si aleati më i afërt i Putinit në Evropë, ka zemëruar vazhdimisht partnerët perëndimorë për qëndrimet e tij që minojnë frontin e përbashkët kundër Rusisë.
Gjatë takimit, Putin e përshëndeti kreun e qeverisë hungareze për, siç tha, “pozicionin e balancuar ndaj situatës në Ukrainë”, duke e falënderuar njëkohësisht për propozimin që Budapesti të shërbejë si vend i mundshëm për një samit Rusi–SHBA me Donald Trump, sipas BBC.
Putin pohoi se vetë Trump e mbështeti idenë, por samiti u shty që nga muaji i kaluar, pasi pala ruse nuk pranoi të lëshojë pe nga kërkesat e saj maksimaliste për përfundimin e konfliktit.
Partia Fidesz e Orbanit përballet me zgjedhje parlamentare në prill, ku për herë të parë në 15 vjet rrezikon të mposhtet, teksa një takim Trump–Putin në Budapest shihet si lëvizje që mund të forcojë pozitat e tij politike.
Orban, i cili vizitoi Moskën për herë të fundit në korrik 2024, ka kundërshtuar prej kohësh përpjekjet e BE-së për ndërprerjen e importeve të gazit dhe naftës ruse. Vizitën e sotme e cilësoi si pjesën e dytë të një strategjie për garantimin e furnizimeve energjetike për Hungarinë, Sllovakinë dhe Serbinë gjatë dimrit.
Më herët këtë muaj në Uashington, ai siguroi përjashtim nga sanksionet amerikane për karburantin rus – por vetëm “për aq kohë sa të mbetet në pushtet”. Ndërkohë, Orban ka mbështetur fuqimisht planin 28-pikësh të Trump për paqen, ndërsa qeveria e tij ka akuzuar udhëheqësit e BE-së se po “nxisin luftën” duke u përpjekur të përshtatin planin sipas kërkesave të Ukrainës.
Në letër që i dërgoi presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Orban kërkoi nisjen e menjëhershme të bisedimeve të pakushtëzuara për paqe dhe i bëri presion BE-së të hapë negociata direkte me Kremlinin.
Ai kundërshtoi gjithashtu fonde të tjera për Ukrainën dhe refuzoi përdorimin e aseteve të ngrira ruse për mbrojtjen ukrainase.
Megjithëse Orban po lëviz ndërmjet interesave amerikane dhe ruse, marrëdhëniet e tij energjetike me Moskën mbeten vendimtare: Hungaria merr mbi 80% të naftës dhe gazit, si dhe 100% të karburantit bërthamor nga Rusia, me tregti që i sjell çdo vit rreth 5 miliardë dollarë buxhetit rus.
Një “marrëveshje” në Moskë nuk pritet të jetë e vështirë. Ashtu si Trump, edhe Putin e ka bërë të qartë se e dëshiron Orbanin fitues në zgjedhjet e prillit, dhe një tjetër “sukses diplomatik” do t’i shërbente të dy palëve.
Putin e ka lavdëruar publikisht Orbanin, duke e konsideruar si shembull të forcave politike kombëtare që po fitojnë terren në Evropë.
“Nëse këto forca vazhdojnë të forcohen, Evropa do të rilindë,” deklaroi ai në Forumin Valdai në Soçi.
Vizita e Orbanit në Moskë vjen në një kohë kur shenjat e kompromisit rus mbi Ukrainën janë thuajse të papërfillshme dhe Budapesti pritet të vazhdojë sfidën ndaj Brukselit për çështjet energjetike dhe politike.