
Një kandidat i djathtë, André Ventura, dhe një ish-Admiral i Marinës që garon si i pavarur, janë kokë më kokë në sondazhet për zgjedhjet presidenciale të Portugalisë në janar.
Një sondazh i kryer nga ICS/ISCTE për Expresso tregoi se Ventura dhe kandidati i pavarur Henrique Gouveia e Melo ishin të barabartë me 18% mbështetje. Ish-kreu Social Demokrat Luís Marques Mendes ndjek me 16%, ndërsa ish-kreu Socialist António José Seguro ishte në 10%.
Nuk pritet që asnjë kandidat të fitojë menjëherë në raundin e parë të 18 janarit, duke e bërë raundin e dytë të 8 shkurtit pothuajse të sigurt.
Presidenca e Portugalisë është kryesisht ceremoniale, por luan një rol kyç në bashkimin e peizazhit të saj të copëzuar politik dhe ka fuqinë të shpërndajë parlamentin dhe të shkarkojë qeverinë.
Shfaqja e fortë e Venturës pasqyron rritjen e shpejtë të partisë së tij të Chega (Mjaft), e themeluar në vitin 2019 dhe tani partia e dytë më e madhe në parlament, pasi kaloi Socialistët në zgjedhjet e përgjithshme të majit.
Ish-komentatori sportiv dhe Profesor i Drejtësisë 42-vjeçar ka argumentuar se mund të jetë më e lehtë të shndërrosh vendin duke fituar presidencën sesa përmes zgjedhjeve legjislative dhe ka premtuar se do “ndërhyjë” nëse fiton.
Megjithatë, sondazhi sugjeron se Ventura do humbiste ndaj Gouveia e Melos ose Marques Mendes në një raund të dytë, duke pasqyruar një nivel të lartë të kundërshtimit të votuesve përtej bazës së partisë së tij.
“Ventura dëshiron të përfitojë nga kjo fushatë zgjedhore për të vijuar forcimin e partisë së tij në vend, por ai e di se nëse arrin në raundin e dytë të zgjedhjeve, ndoshta nuk do fitojë,” tha Adelino Maltez, shkencëtar politik në Universitetin e Lisbonës.
Ventura ka premtuar të luftojë korrupsionin mes partive kryesore që kanë qeverisur për pesë dekada. Ai përballet me kritika për vërejtje të cilat janë parë si raciste ndaj komunitetit rom dhe emigrantëve nga Azia Jugore.
Gouveia e Melo, 65 vjeç, u bë i njohur në nivel kombëtar në vitin 2021 si koordinator i fushatës së vaksinimit kundër COVID-19 në Portugali.
Duke u pozicionuar midis socializmit dhe socialdemokracisë, ai ka këmbëngulur se është i vetmi kandidat vërtet i pavarur. Sondazhi, i kryer nga 7 deri më 17 nëntor me 807 persona, kishte një diferencë gabimi prej 3.5%, shkruan Reuters.