
Policia e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, ka finalizuar një operacion hetimor që ka zbuluar një skemë të gjerë abuzimi dhe shpërdorimi detyre nga disa punonjës të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Hetimet kanë dokumentuar se inspektorë të kësaj strukture dyshohet se falsifikonin të dhënat në aktet e verifikimit për fermerët përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes. Ata nuk kryenin kontrollin në terren për gjendjen faktike të kafshëve, ndërsa dyshohet se merrnin shuma nga 10 deri në 50 mijë lekë të reja për çdo aplikim, me qëllim kualifikimin e fermerëve që nuk plotësonin kriteret për subvencione.
Në kuadër të operacionit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë ka vendosur masat e sigurimit “Pezullim nga detyra” dhe “Detyrim paraqitjeje” për 9 të dyshuarit:
Andrea Miha, Julian Zgura, Entela Gjata, Ermal Ibri, Dritan Çela, Përparim Rustemi, Bruno Berberi, Endrit Ferati dhe Fatos Ibi.
Sipas hetimeve paraprake, veprimtaria e tyre ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Hetimet vijojnë për identifikimin e të tjerëve të përfshirë dhe për vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.