
Komisioni i Reformës Territoriale nisi sot punimet ndërsa një nga anëtaret e këtij komisionkme, Jorida Tabaku, postoi një video në rrjetet e saj sociale: ky proces nuk do të përsërisë gabimet e një dekade më parë, kur harta territoriale u ndërtua mbi interesa partiake dhe elektorale- shpreh ajo.
Tabaku theksoi se reforma e re do të ketë në qendër shërbimet, financat publike, investimet dhe arsimin: jo nevojat e partive politike dhe jo punësimet klienteliste të pushtetit vendor.
“Interesi i vetëm do të jetë ai i qytetarëve. Nga një leje çatie e deri te investimet madhore, çdo gjë duhet të funksionojë në shërbim të njerëzve,” deklaroi Tabaku, duke nënvizuar se pushteti vendor ka nevojë për një transformim të plotë.
Ajo theksoi se Partia Demokratike synon ta nxjerrë procesin nga “muret e akullta të Kuvendit” dhe ta çojë drejt qytetarëve dhe komuniteteve, për të garantuar një reformë transparente, me llogaridhënie dhe me standarde demokratike.
Tabaku paralajmëroi se PD do mbështesë vendimmarrje për tema ku preken qytetarët (në bashki, në komunitete dhe në nivel lokal) me synimin për të ndërtuar një hartë që pasqyron realisht nevojat dhe shërbimet që kërkon çdo familje shqiptare.