
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, morën pjesë në festimet për 113-vjetorin e Pavarësisë në Shkodër. Ceremonia u zhvillua te “Sofra e Pavarësisë”, mes një atmosfere kuqezi dhe pjesëmarrje të madhe qytetarësh.
Nga kjo ngjarje simbolike, Spiropali deklaroi se Shkodra mbetet “një simbol i pathyeshëm i unitetit dhe bashkimit kombëtar”, duke theksuar rëndësinë historike të qytetit në momente të tilla festive.
Në fjalën e saj, ministrja i adresoi një mesazh të veçantë Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë jo thjesht një mike, por një pjesë të pandarë të shtëpisë shqiptare. “Sofra e shqiptarit i përket mikut… ju, e nderuar Vjosë, në këtë qytet jeni mike, por jo mysafire. Sepse ju, ashtu si të gjithë vëllezërit tanë të të njëjtit gjak, këtu jeni në shtëpinë tuaj”, u shpreh Spiropali.
Ajo shtoi se sfida dhe zotimi më i madh i Shqipërisë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian. “Zotimi ynë më i madh, në këtë 28 nëntor, është ta shndërrojmë flamurin tonë në flamurin e 28 që valëvitet krenar në Bruksel”, deklaroi Spiropali, duke nënvizuar nevojën për vazhdimin e reformave, forcimin e shtetit të së drejtës dhe modernizimin e ekonomisë.
Në Shkodër, festimet vijuan gjatë gjithë ditës, me fotografi, performanca kulturore dhe aktivitete të ndryshme që i dhanë qytetit atmosferën festive të 28 Nëntorit.