
Një shtetas afgan është arrestuar pasi dyshohet se qëlloi me armë dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore, vetëm pak blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, në një ngjarje të rëndë që ka ndezur sërish debatin politik mbi praninë e trupave ushtarake në qytetet amerikane, përcjell AP.
FBI dhe kryebashkiakja e Uashingtonit, Muriel Bowser, konfirmuan se dy efektivët ndodhen në gjendje kritike në spital. Fillimisht, guvernatori i Virxhinias Perëndimore kishte deklaruar se ata kishin ndërruar jetë, por më vonë e tërhoqi deklaratën duke thënë se kishte marrë “informacione të paqarta”.
Sipas autoriteteve, i dyshuari 29-vjeçar — i identifikuar si Rahmanullah Lakanwal — gjithashtu është plagosur nga të shtënat, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai hyri në SHBA në vitin 2021 përmes programit “Operation Allies Welcome”, që solli në vend mijëra afganë pas tërheqjes amerikane nga Afganistani.
Si ndodhi sulmi?
Sipas policisë së Uashingtonit, agresori doli “nga cepi i rrugës” dhe hapi zjarr menjëherë ndaj ushtarëve. Efektivë të tjerë të Gardës Kombëtare që ndodheshin pranë ndërhynë dhe e neutralizuan autorin duke e mbajtur të shtrirë në tokë.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë trupa të shpëtimit duke kryer CPR mbi një prej ushtarëve, ndërsa tjetrit i jepet ndihmë mjekësore mbi trotuar.
Policia thotë se nuk ka prova për persona të tjerë të përfshirë dhe se sulmi duket të ketë qenë i qëllimshëm.
Urdhra të menjëhershëm nga administrata Trump
Administrata e Donald Trump urdhëroi menjëherë dërgimin e 500 trupave të tjera të Gardës Kombëtare në Uashington. Presidenti Trump publikoi një video ku kërkoi rishikimin e të gjithë refugjatëve afganë të pranuar nën administratën Biden, duke e cilësuar sulmin “krim ndaj gjithë kombit”.
Hetimet dhe çfarë dihet për të dyshuarin
Autoritetet po verifikojnë identitetin dhe të dhënat e plota të Lakanwal, i cili jetonte në shtetin e Uashingtonit me bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tij.
Hetuesit ende nuk kanë një motiv. Sulmi ndodhi pranë një stacioni metroje, dy blloqe nga Shtëpia e Bardhë.
Reagime dhe situata e trupave në DC
Ngjarja vjen në një periudhë kur vendosja e Gardës Kombëtare në kryeqytet është bërë temë e nxehtë politike. Rreth 2,200 trupa janë aktualisht të vendosur në Uashington. Një gjykatë federale ka urdhëruar largimin e tyre, por vendimi është pezulluar për 21 ditë.
Zyrtarë të lartë të ushtrisë kanë vizituar efektivët e plagosur, ndërsa shefi i Gardës Kombëtare anuloi udhëtimin e tij të planifikuar në Guantanamo për të qenë pranë trupave në Uashington.
Hetimet vazhdojnë dhe autoritetet pritet të japin të tjera detaje në orët në vijim.