
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur pasditen e së enjtes në Shkodër, ku iu bashkua festimeve për Ditën e Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë.
Ajo u prit nga kryebashkiaku Benet Beci, me të cilin zhvilloi një takim në ambientet e Bashkisë së Shkodrës.
Në një deklaratë për mediat, Osmani e cilësoi Shkodrën si një qytet me kontribut të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, ndërsa theksoi se lidhjet me Kosovën kanë qenë gjithmonë të ngushta dhe të natyrshme.
“Shkodra vërtet e ka ndihmuar Kosovën në momentet më të rënda. Në vitin 1998–1999, qytetarët e Gjakovës dhe zonave të tjera kanë qëndruar këtu, ku shkodranët kishin zemrat dhe shtëpitë e hapura. Shkodra ka qenë pranë nesh edhe në rindërtimin pas luftës, si dy shtete që synojnë integrimin në BE. Është emocion i veçantë për ne që në prag të festave të flamurit të jemi në Shkodër,” tha Osmani.
Ajo nënvizoi se kjo periudhë është një festë e shumëfishtë për Kosovën: përveç festës së flamurit dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, shënohet edhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, përvjetori i daljes publike të UÇK-së dhe Dita e Forcës së Ushtrisë së Kosovës.
“Si Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë sot të forta dhe në rrugë të drejtë për integrimin në BE falë mbështetjes së aleatëve. Nesër do të jem në Vlorë dhe në Tiranë për të vazhduar festën e përbashkët,” shtoi presidentja.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Benet Beci u shpreh se me presidenten Osmani bashkëbiseduan për projektet që synojnë forcimin e lidhjes Shkodër–Kosovë dhe vizionin e përbashkët për zhvillimin kulturor, turistik dhe ekonomik të rajonit.