
Drejtuesi politik i PD për qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, ka ngritur alarmin për situatën e rëndë të përmbytjeve në disa fshatra të zonës, duke e cilësuar atë si emergjente dhe kërkuese të ndërhyrjes së menjëhershme.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj tha se mijëra hektarë tokë ndodhen ende nën ujë, ndërsa banorët dhe fermerët po përballen çdo ditë me pasojat e mungesës së mbrojtjes dhe planifikimit.
Ai theksoi se në fshatin Spiten, banorët po detyrohen të lëvizin me gomone për të hyrë në pronat e tyre dhe për të shpëtuar sendet e mbetura.
Sipas tij, ndërkohë që qytetarët përballen me dëme masive, institucionet mjaftohen me deklarata mediatike dhe nuk ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete.
Gjekmarkaj akuzoi qeverinë se është më e interesuar të kontrollojë narrativën politike sesa të menaxhojë situatën në terren: “Në vend të masave të qarta dhe mbështetjes reale për komunitetin, pushteti duket i fokusuar të sulmojë opozitën që denoncon vështirësitë e banorëve.”
Sipas tij, kjo qasje e shkëputur nga realiteti “vetëm sa e thellon krizën dhe tregon paaftësinë për t’u përballur me emergjencat që prekin drejtpërdrejt jetën dhe punën e qytetarëve”.
Postimi i plotë
Dëmet nga përmbytjet në Lezhë janë masive dhe situata në terren kërkon reagim urgjent, jo spektakël politik.
Mijëra hektarë tokë janë ende nën ujë, ndërsa banorët dhe fermerët përballen çdo ditë me pasojat e mungesës së mbrojtjes dhe planifikimit.
Në Spiten, banorët po lëvizin me gomone në pronat e tyre dhe po bëjnë çmos për të shpëtuar çfarë u ka mbetur, ndërsa institucionet shfaqen me dalje mediatike që nuk u ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete.
Në vend të masave të qarta, koordinimit dhe mbështetjes reale për komunitetin, pushteti duket më i interesuar të kontrollojë narrativën e opozitës që denoncon vështirësitë e banorëve, ta sulmojë atë, sesa të kontrollojë situatën.
Kjo qasje e shkëputur nga realiteti vetëm sa e thellon krizën dhe tregon paaftësi për t’u përballur me emergjencat që prekin drejtpërdrejt jetën dhe punën e qytetarëve.