Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Ka nisur debati në bazë, do të angazhohemi në një proces të fuqishëm ringritjeje të PD-së


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se në strukturat e PD-së ka nisur debati në bazë dhe janë ngritur grupet e punës që do të udhëheqin procesin e ringritjes së partisë.

Ai theksoi se demokratët e kërkojnë këtë hap dhe se PD do të angazhohet në një proces të gjerë të forcimit të saj.

Berisha u shpreh se debati po zhvillohet mbi një udhëzues të formuluar tashmë, me synimin kryesor “forcimin e partisë për betejën vendimtare kundër narkoregjimit”.

“Zgjedhjet në Shqipëri u damkosën siç janë. Terrori dhe dhuna ndaj pluralizmit mori ndëshkimin që meritoi, narkoshteti shqiptar u shpall rrezik për rajonin dhe Evropën,” deklaroi Berisha, duke shtuar se procesi i diskutimit në bazë ka nisur dhe se grupet e punës tashmë janë krijuar.

Ai tha se demokratët e presin këtë proces dhe se PD do të shkojë drejt anëtarësisë me një qasje të re:
“Jam plotësisht i vetëdijshëm se demokratët e presin këtë. Zgjedhjet, për fat të mirë, nuk ndryshuan raportin. Qeveria e SHBA jo vetëm që nuk dërgoi urim, por përmes zëdhënësit tha se ato nuk ishin zgjedhje të lira,” u shpreh Berisha.

Kreu i PD garantoi anëtarët dhe mbështetësit se partia do të hyjë në një fazë të fuqishme ringritjeje.

“I garantoj anëtarët dhe mbështetësit se do të angazhohemi në një proces të fuqishëm ringritjeje për betejën me narkoshtetin,” përfundoi ai.