
Presidenti i Ukrainës Zelensky ka kërkuar që udhëheqësit evropianë të marrin pjesë në takimin e tij të ardhshëm me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për diskutime mbi zgjidhjen e konfliktit me Rusinë.
Uashingtoni ka hartuar një propozim paqeje me 28 pika, i cili iu nënshtrua rishikimeve pas bisedimeve me zyrtarët ukrainas në Gjenevë fundjavën e kaluar. Moska ka thënë se ende nuk ka marrë ndonjë version përmes kanaleve zyrtare, shkruan Rt.
“Jam gati të takohem me Presidentin Trump , ka pika delikate për të diskutuar dhe besojmë se prania e udhëheqësve evropianë mund të jetë e dobishme,” tha Zelensky të martën në një fjalim drejtuar udhëheqësve të BE-së, një video e së cilës u publikua nga zyra e tij.
Kur Zelensky u takua me Trump-in në gusht pas samitit të presidentit amerikan me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë, ai u shoqërua nga shtatë zyrtarë perëndimorë, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe krerët e Finlandës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.