
Vetëvendosje ka nominuar sërish kreun Albin Kurti për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ish-kreu i Kuvendit Glauk Konjufca, i cili e shpalli nominimin e Kurtit për kryeministër, e ka cilësuar atë si kryeministrin më të suksesshëm dhe të më votuarin nga populli në historinë e demokracisë parlamentare.
“Jemi mbledhur që sot ta nominojmë kryeministrin e ardhshëm nga radhët e Vetëvendosjes, unë do ta nominoj më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë parlamentare. Më meritorin në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, liderin e transformimit social dhe demokratik të Kosovës, kryeministrin më të suksesshëm të republikës, Albin Kurti”, ka thënë Konjufca, shkruan Koha.
Gjatë fjalës së tij, Konjufca ka akuzuar partitë e opozitës se duan ta bllokojnë shtetin vetëm për ta dobësuar Albin Kurtin.
“Verdikti i popullit në zgjedhjet e shkurtit nuk ishte të ecim vetëm, por të ecim së bashku me partnerin tonë në një koalicion demokratik. U refuzuam. Refuzimi në demokraci nuk është fundi i botës, prandaj ne u përgatitëm që pjesa tjetër e opozitës do ta bënin qeverinë. Ata refuzuan ta bëjnë edhe qeverinë. LVV-në nuk e lanë, vetë nuk deshën ta bëjnë, prandaj qytetarët me të drejtë pyesin se çka duan ata me të vërtetë. Ata duan të bllokojnë gjithçka që më pas bllokimi i shtetit të duket si dobësim i LVV-së. Kjo është agjendë tejet e dëmshme dhe antishtetërore. Për këtë qëllim ata kanë treguar se janë në gjendje të shkojnë deri në humnerë. Ta sakrifikosh shtetin që Albin Kurti të dalë keq. Përmes kësaj maskarade po mendojnë se e rrisin mbështetjen në popull”, është shprehur ai.
Pas nominimit nga partia e tij si kandidat për kryeministër, Albin Kurti tha se nuk është faji i tij që vendi duhet të shkoj edhe në këto zgjedhje. Sipas tij, partitë e tjera refuzuan bashkëpunimin me të jo pse nuk kishte oferta për ta por sepse siç tha – nuk bën qeveri me marrëveshje për të ndarë bordet.
“Kjo nuk është situatë që ne e duam e as që e kemi menduar. Krizën legale duan ta kthejnë në krizë sociale. Të mbesin qytetarët pa paga, pa rritje të shtesave. Sepse krizë ekonomike në vendin tonë nuk ka. Kemi bllokadë procedurale nga opozita. Na akuzojnë se të tjerët na paskan bërë qeveri me 20% dhe unë pajtohem sepse kanë bërë e zgjedhur kryeministra edhe me 7%. Por, ne refuzojmë të jemi qeveri pazaresh. Me mua nuk mund të bësh marrëveshje ku përfshihet ndarja e bordeve në ndërmarrje publike. Me mua nuk mund të bëjnë marrëveshje për terminale doganore e as për pozita ambasadorësh. Po që se i shohim ato marrëveshje, ato janë edhe të paligjshme”, deklaroi Kurti.