
Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e sotme në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në zonën e Poçemit, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë të plagosur tre persona.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, kur automjeti i drejtuar nga shtetasi B. H. u përplas me automjetin që drejtohej nga shtetasi L. A.
Si pasojë e përplasjes u dëmtua drejtuesi L. A., si edhe dy pasagjeret që ndodheshin në automjete: M. H., 44 vjeçe, dhe E. A., 39 vjeçe.
Të tre të lënduarit u transportuan me urgjencë drejt spitalit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje mbërriti menjëherë grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.