Vendosni fjalën kyçe....

14-vjeçari plagos me thikë një adoleshent në Durrës, shoqërohet nga policia



Një konflikt mes dy adoleshentëve ka përfunduar me plagosje të rëndë mbrëmjen e 25 nëntorit në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”, në Durrës.

Sipas Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Durrësit organizuan punën për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Hetimet paraprake, të kryera nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Durrës, në bashkëpunim me grupin hetimor të komisariatit, treguan se konflikti kishte ndodhur për motive të dobëta.

Gjatë debatit, i mituri M. K., 14 vjeç, dyshohet se ka goditur me thikë shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar plagë të rënda. I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Pasi u identifikua si autor i dyshuar, policia zhvilloi kontrolle të shumta në zonë dhe në ambiente të tjera të mundshme. Pas disa orësh kërkimesh, shërbimet e policisë bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin në flagrancë të 14-vjeçarit.

Ai do të hetohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.