Vendosni fjalën kyçe....

Xi i thotë Trumpit se qëndrimi i Kinës për Tajvanin mbetet i pandryshuar



Presidenti kinez Xi Jinping i ka thënë Donald Trump-it se pretendimet e Pekinit mbi Tajvanin mbeten të pandryshuara, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar mes dy liderëve në një moment tensionesh të rritura rreth ishullit vetëqeverisës, përcjell Guardian.

Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, Xi i kujtoi Trump-it se “rikthimi i Tajvanit në Kinë” është pjesë thelbësore e rendit ndërkombëtar të pasluftës, të ndërtuar – sipas tij – mbi aleancën SHBA–Kinë në luftën kundër “fashizmit dhe militarizmit”. Kina e konsideron Tajvanin territor të saj dhe ka paralajmëruar se mund ta aneksojë edhe me forcë, qëndrim të cilin qeveria demokratike e Tajvanit e kundërshton fuqishëm.

Biseda preku edhe çështje të tjera, përfshirë Ukrainën dhe përpjekjet për të ruajtur armëpushimin tregtar mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Por Tajvani ishte në qendër të diskutimeve, në një kohë kur Kina është përfshirë në një konflikt diplomatik me Japoninë pas deklaratave të kryeministres së re Sanae Takaichi, e cila sugjeroi se Tokio mund të ndërhyjë ushtarakisht në rast të një sulmi ndaj Tajvanit.

Të martën, Takaichi konfirmoi se kishte folur edhe ajo me Trump-in, duke diskutuar bisedën e tij me Xi dhe marrëdhëniet SHBA–Japoni.

Nga ana e saj, Tajvani reagoi ashpër. Kryeministri Cho Jung-tai deklaroi se “rikthimi” nën Kinë nuk është opsion për 23 milionë banorët e ishullit. “Republika e Kinës, Tajvani, është një shtet plotësisht sovran e i pavarur”, tha ai.

Trump, në një postim në Truth Social, nuk përmendi Tajvanin, por lavdëroi marrëdhëniet “shumë të forta” SHBA–Kinë. Sipas Pekinit, ai i ka thënë Xi-së se e kupton rëndësinë që ka çështja e Tajvanit për Kinën.

Në bisedë u konfirmua gjithashtu se Trump do të vizitojë Kinën në prill, ndërsa Xi pritet të vizitojë Uashingtonin në vitin 2026 – megjithëse Pekini nuk e ka konfirmuar këtë pjesë.

Telefonata pasoi takimin e tyre të fundit në tetor gjatë bisedimeve tregtare në Korenë e Jugut, ku dy palët arritën një marrëveshje paraprake: Pekini do të pezullojë për një vit kufizimet e eksportit për disa minerale të rralla, ndërsa SHBA do të ulë tarifat për produkte kineze. Kina gjithashtu pranoi të blejë miliona ton sojë amerikane deri në fund të vitit dhe në 2026.

Kina mban dominimin global në mineralet e rralla, thelbësore për industrinë e teknologjisë, automjeteve dhe mbrojtjes.

Dy liderët folën gjithashtu për luftën në Ukrainë. Xi përsëriti se Kina mbështet përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit pothuajse katërvjeçar, një çështje që Trump e ka bërë prioritet.

Në Pekin e Uashington, biseda është parë si shenjë e një dinamike të re pozitive në marrëdhëniet e tensionuara SHBA–Kinë.