
Pesë studime të Qendrës Burimore të Mjedisit (REC Shqipëri) zbulojnë një situatë alarmante: krimet mjedisore në vend vazhdojnë të mbeten pothuajse plotësisht të pandëshkuara. Analizat e kryera përfshijnë të gjithë zinxhirin institucional, nga inspektorët e terrenit deri te prokurorët dhe gjykatat, duke nxjerrë në pah një sistem thuajse të pafuqishëm përballë dëmeve që i shkaktohen natyrës.
Sipas të dhënave të raportuara, mbi 90% e dëmeve në mjedis trajtohen vetëm me gjoba, për shkak të mungesës së një kuadri të qartë ligjor që të ndajë pasojat e lehta nga ato të rënda.
“Mbi 70% e procedimeve penale nuk fillojnë fare ose mbyllen rrugës, duke bërë që pushimi i çështjeve të kthehet në standard. Prokurorët, shpesh pa trajnimin e duhur për natyrën komplekse teknike të veprave mjedisore, lejojnë që rastet më flagrante, si ndotjet industriale, të mbeten të pandëshkuara, ndërsa në gjyq përfundojnë kryesisht vepra minore”, deklaroi Mihallaq Qirjo, drejtues i REC Shqipëri.
Edhe pse këtë vit rastet e zjarrvënieve u klasifikuan si krim i organizuar, raporti thekson se drejtësia ka dështuar të sigurojë përgjegjshmëri.
“Paradoksi thellohet në Gjykata, ku çështjet mjedisore zënë vetëm 0.25% të volumit në Apel. Një fakt tronditës: nga viti 2008 deri në 2025 nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor për veprën ‘Shkatërrimi me zjarr i pyjeve’, ndonëse është një plagë kombëtare”, shtoi Qirjo.

Problemet thellohen edhe në nivel administrativ: vetëm 11.4% e gjobave për shkelje mjedisore arkëtohen realisht, duke lënë miliona euro dëm mjedisor e financiar të paadresuar dhe autorët, sërish, të pandëshkuar.
Raporti i REC ngre alarmin për nevojën urgjente të reformimit të mekanizmave të zbatimit të ligjit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që krimet ndaj mjedisit të trajtohen si çështje prioritare kombëtare.