Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Speciale e Kosovës ende pa datë vendimi për ish-udhëheqësit e UÇK-së


Dhomat e Specializuara të Kosovës ende nuk kanë një datë të saktë për shpalljen e vendimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Zëdhënësi i gjykatës me seli në Hagë, Michael Doyle, tha se sipas rregullave vendimi duhet të merret brenda tre muajsh pas përfundimit të procesit, përcjell REL.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Doyle theksoi se deklaratat përmbyllëse pritet të përfundojnë më 13 shkurt 2026, pas së cilës gjyqtarët kanë 90 ditë për të marrë vendimin dhe për ta shpallur atë. Në raste të jashtëzakonshme afati mund të zgjatet për dy muaj të tjerë.

Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023. Fillimisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri 125 dëshmitarë në sallë, ndërsa 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë me shkrim. Mbrojtja e Thaçit filloi prezantimin e provave në shtator, ndërsa Krasniqi paraqiti dy dëshmitarë në sallë dhe dy dëshmi me shkrim. Veseli dhe Selimi nuk paraqitën prova. Mes dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit ishin ish-zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë ish-ndihmës sekretarin e Shtetit James Rubin dhe gjeneralin në pension Wesley Clark.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi personale, si dhe për krime të kryera nga vartësit e tyre. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e mbi 100 personave dhe mbajtjen e qindra të tjerëve në paraburgim të paligjshëm dhe torturimin e tyre. Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” për të marrë dhe ushtruar kontrollin në Kosovë, duke përdorur frikësimin, keqtrajtimin dhe dhunën ndaj kundërshtarëve.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale, janë themeluar në vitin 2015 dhe veprojnë në Holandë me personel ndërkombëtar. Ato hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë gjatë periudhës janar 1998–dhjetor 2000.