Vendosni fjalën kyçe....

Forcat ruse godasin Kievin dhe qytete të tjera ndërsa SHBA e Ukraina zhvillojnë bisedime paqeje në Gjenevë



Rusia ka lëshuar një valë sulmesh ajrore gjatë natës ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit, si dhe qyteteve të tjera, përfshirë rajonin verilindor të Sumit, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e saj të katërt, përcjell Euronews.

Pamjet e publikuara në rrjete sociale treguan ndërtesa banimi të goditura në orët e para të mëngjesit, të cilat më vonë u konfirmuan edhe nga autoritetet lokale. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se një godinë në distriktin Pechersk dhe një tjetër në distriktin lindor Dniprovskyi kanë pësuar dëme të rënda.

Ministria e Energjisë e Ukrainës njoftoi gjithashtu se infrastruktura energjetike u shënjestrua nga sulmet, por nuk dha detaje mbi nivelin e dëmeve.

Ndërkohë, autoritetet në Sumy raportuan se një dron rus goditi një kamion shërbimi, i cili ishte vendosur aty pas goditjeve të përsëritura ruse të së hënës.

Sulmet e Moskës vijnë vetëm një ditë pas bisedimeve mes përfaqësuesve të SHBA-së dhe Ukrainës në Gjenevë lidhur me një plan paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA dhe Rusia.

Oleksandr Bevz, pjesë e delegacionit ukrainas, deklaroi për Associated Press se bisedimet kanë qenë “shumë konstruktive” dhe se palët kanë diskutuar shumicën e çështjeve.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia ende nuk e ka parë versionin e përditësuar të planit pas takimeve në Gjenevë.