
Dy alpinistë kanë humbur jetën gjatë ngjitjes në majën Aoraki/Mount Cook, mali më i lartë në Zelandën e Re, ndërsa dy të tjerë janë shpëtuar, njoftuan autoritetet të martën për Euronews.
Policia tha se trupat e viktimave janë lokalizuar dhe po punohet për nxjerrjen e tyre nga terreni “shumë i vështirë alpin”. Asnjëri prej alpinistëve nuk është identifikuar publikisht, por Shoqata e Udhërrëfyesve Malorë të Zelandës së Re konfirmoi se një nga viktimat ishte pjesë e saj, ndërsa tjetri ishte klienti i tij.
Sipas autoriteteve, dyshja ishte e lidhur me litar kur ra pranë majës së malit. Ndërkohë, dy alpinistët e tjerë u shpëtuan dhe u transportuan me helikopter në orët e para të mëngjesit, pa pësuar lëndime.
Ekipet e kërkim-shpëtimit përdorën dy helikopterë për të kërkuar gjatë gjithë natës për dy alpinistët e zhdukur, të cilët u gjetën të vdekur më vonë.
Aoraki, me lartësi 3,724 metra, është i njohur për terrenin e tij të rrezikshëm, përfshirë çarje akulli, rrezik ortekësh, mot të paqëndrueshëm dhe lëvizje të akullnajave. Që nga fillimi i shekullit të 20-të, mbi 240 persona kanë humbur jetën në këtë zonë malore, shumë prej të cilëve nuk janë gjetur kurrë.
Vitin e kaluar, tre alpinistë — dy amerikanë dhe një kanadez — u zhdukën gjatë një ngjitjeje në Aoraki dhe dyshohet se kanë rënë në humnerë, pasi kërkimet u ndërprenë pas pesë ditësh.