
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se dorëzimi i territorit ukrainas ndaj Rusisë është “problemi kryesor”, pas raundit të fundit të negociatave mbi një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja, sipas BBC.
SHBA-ja dhe Ukraina zhvilluan bisedime gjatë fundjavës në Gjenevë, ndërsa Donald Trump u shpreh se “mos e besoni derisa ta shihni, por diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur”.
Duke folur më pas përmes një video-mesazhi në një konferencë në Suedi, Zelensky tha se Vladimir Putin “kërkon njohje ligjore për atë që ka vjedhur”, duke nënvizuar se “kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë”.
Plani 28-pikësh i paqes mori kritika të forta nga udhëheqësit evropianë javën e kaluar, pasi sipas tyre ishte tepër i favorshëm për Rusinë. Detajet e planit janë bërë publike tashmë, duke treguar se disa pika kërkojnë kompromis territorial nga Ukraina.
Uashingtoni njoftoi se në Gjenevë janë bërë “ndryshime dhe sqarime” në plan, ndërsa Rusia deklaroi se ende nuk ka marrë asnjë version të përditësuar të dokumentit.
Ndërkohë, ushtarë ukrainas në vijën e frontit shprehen të ndarë lidhur me propozimin. Disa e quajnë “të turpshëm”, ndërsa të tjerë thonë se ia vlen “nëse i jep fund luftës”.
Ngjarja ndodh në një moment dramatik për vendin, teksa në Kharkiv një vajzë u pa teksa shpërthente në lot pranë trupit të nënës së saj të vrarë nga një sulm me dron rus, një tjetër episod tragjik i luftës që vazhdon të marrë jetë civile çdo ditë.