Vendosni fjalën kyçe....

LDK zyrtarizon Lumir Abdixhikun kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit


Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kryetarin e saj, Lumir Abdixhikun, si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor. Vendimi është marrë nga kryesia e partisë, e cila – sipas Abdixhikut – ka vlerësuar se kreu i LDK-së duhet të jetë automatikisht kandidat për postin e kryeministrit, përcjell REL.

“Ndonëse e hapa diskutimin, nuk zgjati shumë. Kryesia e LDK-së e konsideron se, përderisa ka kryetar partie, nuk ka nevojë të ketë kandidat tjetër për kryeministër, prandaj më nominoi”, tha Abdixhiku në një konferencë për media më 24 nëntor.

Ai njoftoi se ka marrë autorizimin për përpilimin e listës zgjedhore, por jo për renditjen e kandidatëve. LDK-ja do të garojë e vetme, megjithëse lista e saj do të jetë e hapur për individë dhe parti të tjera. Abdixhiku nuk përjashtoi mundësinë që në listë të përfshihet edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila në zgjedhjet e kaluara siguroi tre mandate në Kuvend.

“LDK-ja do të hapë një pjesë të listës për partitë e tjera, përfshirë edhe Limajn me deputetët e tij. Kemi gatishmëri edhe për Demokristianët, Partinë e Drejtësisë, Aleancën e Pacollit, si dhe për individë që duan të garojnë në listën tonë”, theksoi Abdixhiku.

LDK-ja doli e treta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit me 18.27 për qind të votave. Edhe atëherë kandidati i partisë për kryeministër ishte Abdixhiku. Ai bëri thirrje për bashkim politik, duke argumentuar se momenti i ri elektoral e vendos LDK-në “përtej bazës së vet”.

Abdixhiku tha se duhet shmangur përsëritja e rezultatit të së njëjtës natyrë si në zgjedhjet e fundit, të cilat çuan në bllokadë politike. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje fitoi 42.30 për qind të votave, por dështoi dy herë të formonte qeveri, duke çuar vendin drejt votimeve të reja.