Vendosni fjalën kyçe....

LDK propozon Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër



Procesi për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit ka hyrë këtë javë në një fazë vendimtare. Kanë nisur zyrtarisht afatet për formimin e koalicioneve parazgjedhore, certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se nga sot deri më 30 nëntor subjektet politike duhet të dorëzojnë aplikimet për certifikim në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar. Po ashtu, subjektet politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin listat e kandidatëve për deputetë brenda afatit dyjavor të vendosur nga KQZ.

Në këtë kuadër, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot në orën 15:00 mbledhjen e Kryesisë Qendrore, ku pritet të propozohet Lumir Abdixhiku si kandidat për kryeministër. Në takim do të diskutohen edhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale.

Me nisjen e këtyre afateve, pritet që subjekteve politike t’u shtohet dinamika në përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa koalicionet e mundshme dhe listat zgjedhore pritet të marrin formë në ditët në vijim.