
Forcat izraelite në lindje të Rafahut thonë se po i afrohen një grupi luftëtarësh të Hamasit të bllokuar në një rrjet të gjerë tunelesh, duke operuar ditë e natë mbi dhe nën tokë, ndërsa dhjetëra militantë po mbeten pa furnizime dhe detyrohen të dalin në sipërfaqe, ku i presin trupat e IDF-së.
Sipas raportimeve nga terreni, gjatë fundjavës 17 operativë të Hamasit u vranë ose u kapën në zonë, ndërsa brigadat Golani, Nahal dhe forcat inxhinierike të ushtrisë izraelite po vijojnë operacionet intensive kundër grupit militant brenda zonës së kontrolluar nga Izraeli, të njohur si “vija e verdhë” në Gaza, përcjell Ynet.
Trupat po punojnë përmes një sistemi të ndërlikuar tunelesh që shtrihet për milje, ndërsa objektivi i deklaruar mbetet i pandryshuar: neutralizimi i plotë i luftëtarëve që kanë mbetur.
“Detyra jonë kryesore është të shkatërrojmë ose kapim armikun, dhe ne vazhdojmë t’i kërkojmë,” deklaroi komandanti i Brigadës Golani, kolonel Adi Ganon, mes rrënojave të qytetit jugor të Gazës.

Rrjeti i tuneleve në Rafah përshkruhet si tepër i sofistikuar, ku militantët e mbetur, përfshirë komandantin lokal të batalionit, thuhet se ishin përgatitur për një qëndrim afatgjatë nën tokë.
Por ndërsa IDF-ja ngushton rrethimin, furnizimet e tyre po pakësohen, duke i detyruar të dalin mbi tokë ku forcat izraelite i kanë rrethuar.
Ushtria beson se dhjetëra luftëtarë mbeten të fshehur në xhepat e tuneleve. Ganon theksoi se trupat po operojnë pa ndërprerje duke përdorur mjete të shumta për t’i lokalizuar.
“Po përdorim çdo mjet, në ajër dhe në tokë,” tha ai.
“Kushtet na lejojnë gjithë fuqinë zjarrë që kemi nevojë. Është e thjeshtë: ose dorëzohen, ose i eliminojmë të gjithë.”
