
Tetë anëtarë të Gardës së Republikës, të përfshirë në mbrojtjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare, përfshirë prokurorët e SPAK, kanë përfunduar një trajnim taktik të nivelit të lartë nga Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara.
Trajnimi u zhvillua në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të SHBA-së, me seli në Budapest.
Lajmi u konfirmua nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila theksoi se mbështetja ndaj strukturave shqiptare të sigurisë është pjesë e angazhimit të SHBA-së për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar.
“Shtetet e Bashkuara ndihmojnë në mbrojtjen e atyre që na ndihmojnë të luftojmë krimin e organizuar. Së fundmi, tetë anëtarë të Gardës së Republikës, të cilët ofrojnë shërbime për mbrojtjen e zyrtarëve të qeverisë shqiptare, përfshirë prokurorët e SPAK, kryen një trajnim taktik të nivelit të lartë nga Shërbimi Sekret i SHBA në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara në Budapest,” thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ambasada shtoi se SHBA-ja ka ofruar pajisje taktike dhe zhvillon trajnime të rregullta me gardistët që mbrojnë zyrtarët e drejtësisë në vend, duke i cilësuar ata si “individë të guximshëm” që sigurojnë funksionimin e pavarur të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.