Vendosni fjalën kyçe....

Çela e Dumani takojnë kryeprokuroren e Belgjikës


Kryeprokurori Olsian çela dhe kreu i SPAK-ut janë takuar në Belgjikë me kryeprokuroren e vendit Ann Fransen.

Takimi koordinues u zhvillua në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara mes palëve si dhe në vijim të takimeve që u mbajtën vitin e kaluar në Tiranë.

Diskutimet u përqendruan në çështje që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, hetimet financiare, pastrimin e produkteve të veprës penale, përdorimin e kriptomonedhave në aktivitete kriminale, koordinimin e hetimeve dhe ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore. Gjithashtu u trajtuan çështje të ndihmës juridike, përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive.

Ndërkohë u diskutua edhe mbi hapësirat ligjore për përmirësimin e mëtejshëm të nivelit të koordinimit, sidomos në drejtim të zbatimit efikas të legjislacionit antimafia, me qëllim sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale ndaj subjekteve të hetuar ose të dënuar në të dy vendet.