Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimet e SPAK, Dumani nga Brukseli: Institucionet nuk ndërtohen për komoditet, por për shërbim publik


Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ka dërguar një mesazh të qartë nga Brukseli, në një diskutim të zhvilluar javën e kaluar në Qendrën Evropiane të Politikave (European Policy Centre), ku morën pjesë edhe Giulio Venneri, zëvendësshef në DG ENEST.

Ngjarja u fokusua te roli i SPAK-ut në reformën në drejtësi dhe te ndikimi i tij në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, në një moment kur vendi po përballet me arrestime të zyrtarëve të lartë.

Dumani theksoi se SPAK-u është zhvilluar si një institucion model, i ndërtuar mbi pavarësinë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke qenë një prej elementëve kyç të transformimit të sistemit të drejtësisë.

 “Transformimi sistemik është i mundur kur një shoqëri zgjedh ndershmërinë mbi cinizmin dhe kur institucionet ndërtohen jo për komoditet politik, por për shërbim publik,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Giulio Venneri vuri në dukje se rezultatet në rritje të SPAK-ut, të ngritura mbi arritje konkrete dhe forcimin e kapaciteteve teknike, po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e besueshmërisë së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.

“Kur vendet i zbatojnë me seriozitet reformat, edhe BE-ja jep përgjigjen e saj,” tha Venneri.