Vendosni fjalën kyçe....

Tiranë/ Goditet grupi kriminal që hidhte në treg euro false, 4 në pranga dhe një në kërkim


Tiranë – Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që hidhnin në treg euro false. Katër persona kanë rënë në pranga ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Tre nga të arrestuarit janë identifikuar si Alesio Brungaj, Serxhio Lala dhe Enis Aliaj.

Alesio Brungaj dyshohet se ishte personi nga Shkodra që kishte porositur shumat e eurove të falsifikuara. Dyshohet se eurot do të hidheshin në qarkullim në Shkodër dhe në Mal të Zi.

Serxhio Lala dhe Enis Aliaj si dhe 17-vjeçari i arrestuar dyshohet se përmes faqeve në TikTok shisnin euro të falsifikuara, ku përmes mesazheve në këtë rrjet social kanë komunikuar dhe me të riun nga Shkodra.

Krimi Ekonomik ka disa kallëzime për 17-vjeçarin pasi nuk është rasti i parë i tij në këtë skemë. Të arrestuarit nuk kanë pranuar të flasin, ndërkohë policia vijon hetimet për zbulimin e personave që fshihen pas kartmonedhave false. Ka dyshime që i mituri dhe të rinjtë e arrestuar përdoren nga persona të tjerë për të shpërndarë eurot false.

Gjatë kontrolleve të kryera blutë sekuestruan 11 pako që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara.

 

Njoftimi i policisë:

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Ërong Delivery”, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të kartëmonedhave.

Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B, 19 vjeç, banues në Shkodër; një i mitur 17 vjeç, banues në Tiranë; S. L, 26 vjeç, banues në Tiranë dhe E. A, 19 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P, 19 vjeç, banues në Krujë.

Shtetasit S. L., E. A. dhe i mituri u kapën në flagrancë në momentin që po tentonin të tërhiqnin në një postë në Tiranë, 11 pakot që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Këto dërgesa kryheshin nga shtetasi A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar veprimtarinë dhe për të shpërndarë kartëmonedhat e falsifikuara.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, A. P., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.