
Ka pasur raportime kontradiktore rreth autorësisë së planit prej 28 pikash për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – një dokument që shihet gjerësisht si i favorshëm për Rusinë, pasi mbështet disa nga pozicionet maksimaliste të Moskës.
Një grup senatorësh amerikanë thanë se Marco Rubio u kishte thënë se plani nuk ishte propozim amerikan dhe se nuk pasqyronte pozicionin zyrtar të Uashingtonit, një pretendim që Departamenti i Shtetit e kundërshtoi ashpër, përcjell The Guardian.
Sipas senatorëve, sekretari i shtetit u kishte thënë se dokumenti ishte në fakt një plan rus, i rrjedhur nga një përfaqësues i Moskës, të cilin SHBA kishte pranuar thjesht për t’ia përcjellë Ukrainës që ta konsideronte dhe më pas të përgjigjej.
Senatori republikan Mike Rounds, anëtar i komisionit të inteligjencës, tha se “Sekretari Rubio na telefonoi këtë pasdite. Ai e bëri shumë të qartë se ne jemi vetëm marrësit e një propozimi që iu dorëzua njërit prej përfaqësuesve tanë. Nuk është rekomandimi ynë, nuk është plani ynë i paqes. Është një propozim i marrë.”
Edhe senatori i pavarur Angus King tha se Rubio u kishte thënë se plani “nuk ishte plani i administratës”, por më shumë një “listë dëshirash e rusëve”.
Rubio, nga ana e tij, reagoi menjëherë pas deklaratave, duke ngulur këmbë.
“Propozimi i paqes është hartuar nga SHBA. Ai ofrohet si një kornizë e fortë për negociatat e vazhdueshme. Bazohet në input nga pala ruse, por gjithashtu në input të mëparshëm dhe të vazhdueshëm nga Ukraina.”
Pas këtyre mospërputhjeve, edhe kryeministri polak Donald Tusk shtoi dyshimet, duke shkruar në X se “do të ishte mirë të dinim me siguri kush është autori i planit dhe ku është krijuar” përpara se të fillojë puna për diskutimin e përmbajtjes së tij.
Ndërkohë, zhvillimet në terren vazhdojnë në paralel me negociatat emergjente në Gjenevë, ku delegacionet ukrainase, amerikane dhe evropiane po përpiqen të qartësojnë se çfarë përfaqëson saktësisht ky plan dhe cilat janë pasojat për Kievin.