Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi përgënjeshtron spekulimet për lidhje të supozuara me Ballukun


Belind Këlliçi ka reaguar pas pretendimeve publike se ai ka pasur komunikime me ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberin, vartësi i ish ministres Belinda Balluku, në lidhje me organizimin e protestave para Bashkisë së Tiranës.

Në një deklaratë të bërë në rrjetet sociale, Këlliçi e cilëson akuzën si të pavërtetë dhe ligjërisht të pamundur, duke theksuar se Berberi ka qenë i arrestuar dhe në paraburgim prej datës 14 mars 2024.

“Protesta e parë para Bashkisë është zhvilluar më 5 prill 2024, ndërkohë që Evis Berberi ka qenë i arrestuar që prej 14 marsit, nën regjimin e kufizuar të komunikimit. Në këtë periudhë ai nuk ka pasur akses në komunikime të lira telefonike apo elektronike” – tha Këlliçi.

Ai shtoi se çdo verifikim zyrtar nga SPAK apo çdo media investigative mund të konfirmojë lehtësisht regjistrat e komunikimeve dhe protokollet e paraburgimit, duke zbuluar “jo vetëm mungesën e komunikimit, por edhe pamundësinë fizike e juridike të ndodhjes së tij”, u shpreh ai.

Këlliçi deklaroi se nuk është pjesë e konflikteve të brendshme politike dhe se nuk përdor kanale të ndërmjetme komunikimi.

“Nuk do ta trajtoj këtë çështje si debat publik, por si shpifje të qëllimshme, që do ta ndjek në rrugë ligjore” – tha ai, duke ftuar çdo media serioze të publikojë çdo komunikim të pretenduar.

Sipas tij, kësaj situate i qëndron pas një kulturë politike e ndërtuar mbi shpifjen.

“Unë nuk jam këtu për ta ushqyer këtë kulturë, por për ta sfiduar atë, me fakte dhe përgjegjësi publike” – tha Këlliçi.

 

Postimi:

Në kulmin e hetimeve për aferën korruptive Rama–Balluku, është hedhur publikisht një pretendim i pavërtetë sikur ekzistojnë komunikime mes meje dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, në lidhje me organizimin e protestave para Bashkisë Tiranë.

Faktet janë të qarta dhe publikisht të verifikueshme: Protesta e parë para Bashkisë është zhvilluar më 5 prill 2024, pas arrestimit të drejtorëve të 5D më 28 mars 2024, ndërkohë që Evis Berberi ka qenë i arrestuar dhe në paraburgim që prej datës 14 mars 2024, nën regjimin e kufizuar të komunikimit sipas Kodit të Procedurës Penale dhe rregullores së paraburgimit.

Në këtë periudhë, ai nuk ka pasur akses në komunikime të lira telefonike, elektronike apo takime fizike, përveç atyre të autorizuara dhe të dokumentuara zyrtarisht.

Prandaj, është objektivisht dhe ligjërisht e pamundur që një komunikim i tillë të ketë ekzistuar.

Çdo hetim i thjeshtë zyrtar nga SPAK ose çdo media investigative mund të verifikojë lehtësisht regjistrat e komunikimeve, autorizimet e takimeve, si dhe protokollet e kontakteve të paraburgimit dhe të konstatojë jo vetëm mungesën e komunikimit, por edhe pamundësinë fizike e juridike të ndodhjes së tij.

Personalisht nuk jam pjesë e konflikteve të brendshme të asnjë partie, nuk përdor kanale të ndërmjetme komunikimi dhe nuk jam instrument në luftëra politike apo propagandistike.

Për këtë arsye, nuk do ta trajtoj këtë çështje si debat publik, por si shpifje të qëllimshme, që do ta ndjek në rrugë ligjore sipas neneve të Kodit Penal.

Ftoj çdo media serioze, gazetar investigativ apo institucion të hedhë dritë mbi faktet dhe të publikojë çdo komunikim të pretenduar, nëse ekziston.

Kjo çështje nuk është thjesht një tentativë për baltosje personale. Është simptomë e një kulture politike që ka ndërtuar sistemin mbi shpifjen, jo mbi provën. Mbi llumin, jo mbi transparencën e ligjin.

Unë nuk jam këtu për ta ushqyer këtë kulturë, por për ta sfiduar atë, me fakte, me standarde dhe me përgjegjësi publike. Ky është terreni ku unë zgjedh të bëj politikë e të luftoj.