
Samiti i COP30 në Belém të Brazilit, një nga mbledhjet më të rëndësishme globale për të gjetur konsensus kundër ngrohjes globale, do të mbahet mend si një ndër më përçarësit e tri dekadave të fundit.
Shumë vende u shprehën të zemëruara që takimi përfundoi pa asnjë përmendje të qartë të karburanteve fosile – burimi kryesor i ngrohjes së atmosferës. Të tjera, veçanërisht prodhueset kryesore të naftës dhe gazit, e konsideruan një fitore, sipas BBC.
Më poshtë janë pesë përfundimet kryesore nga ajo që disa e quajtën “COP-i i së vërtetës”.
- Brazili – jo ora e tyre më e mirë
Pavarësisht simpatisë ndaj Brazilit dhe presidentit Luiz Inácio Lula da Silva, shumë pjesëmarrës u shprehën të zhgënjyer nga mënyra se si u menaxhua samiti.
Lula, para se të niste zyrtarisht COP30, foli për një “rrugëdalje nga karburantet fosile” dhe ideja u mbështet nga një numër vendesh, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Por presidenti i COP30, André Corrêa do Lago, kishte një qëllim tjetër: konsensusin.
Sapo nisi debati, çdo referencë që dukej si plan largimi nga karburantet fosile u zhduk nga teksti negociues. Kolumbia, Bashkimi Europian dhe rreth 80 shtete kërkuan të paktën një formulim më të fortë, por pa sukses.
Në një mbledhje të mbyllur, një delegat saudit u tha europianëve: “Ne bëjmë politikën e energjisë në kryeqytetin tonë, jo në tuajin”, – tha ai.
Negociatat pothuaj u rrënuan, derisa Brazili propozoi plane anësore për pyjet dhe karburantet fosile – ide që u pritën me duartrokitje, por pa fuqi të qartë ligjore.
- BE pati një COP të dobët
Bashkimi Europian, grupi më i pasur në marrëveshjen e Parisit, doli i zhgënjyer nga ky samit.
Teksti i parë përfshinte idenë e trefishimit të fondeve për adaptimin ndaj klimës dhe termi “trefishim” mbeti brenda draftit – diçka që i hoqi BE-së çdo hapësirë për të bërë kompromis në negociata.
“Po shohim një BE të ngujuar”, – tha ai Li Shuo nga Asia Society. “Kjo pasqyron ndryshimin e ekuilibrave të fuqisë në botë dhe rritjen e peshës të vendeve si Kina, India dhe grupi BRICS.” – tha ai.
Përballë kësaj, europianët arritën shumë pak në frontin e karburanteve fosile.
- E ardhmja e COP-it në pikëpyetje
Gjatë dy javëve të samitit, pyetja më e shpeshtë ishte: A ka më kuptim procesi COP?
Pse mijëra njerëz duhet të udhëtojnë në anën tjetër të botës për të debatuar për presje dhe fjalë teknike?
Pse vendimet për të ardhmen e energjisë botërore merren në orët 03:00 të mëngjesit, nga delegatë të rraskapitur?
COP-i sillte frymë që nga marrëveshja e Parisit, por shumë besojnë se nuk ka më rol të qartë.
Harjeet Singh, nga Fossil Fuel Treaty Initiative, tha: “Nuk mund ta hedhim poshtë, por kërkon rikonceptim. Do na duhen procese të tjera jashtë sistemit aktual.” – tha ai.
Brazili tentoi ta shndërrojë këtë samit në një “COP zbatimi”, por idetë nuk u bënë konkrete. Pa një model të ri funksionimi, rreziku që procesi të humbasë rëndësinë është i madh.
- Tregtia hyn fort në axhendën klimatike
Për herë të parë, tregtia botërore u bë temë kyçe.
Arsyeja? BE po përgatitet për taksë kufitare ndaj produkteve me emetime të larta (çelik, alumin, plehra kimike). Kina, India dhe Arabia Saudite reaguan ashpër, duke e quajtur masën “të njëanshme”.
Europianët mbrojtën politikën: “Nuk është për të penguar tregtinë, por për të ulur ndotjen. Ne tashmë i taksojmë prodhuesit tanë – ju mund të bëni të njëjtën gjë.”
Si zakonisht në COP, kompromisi erdhi duke shtyrë debatin për takimin e ardhshëm, duke krijuar vetëm një “dialog të hapur” për tregtinë.
- Trump fiton duke munguar – Kina fiton duke heshtur
Dy ndotësit më të mëdhenj globalë – SHBA-ja dhe Kina – patën ndikim të ngjashëm, por me strategji të kundërta.
Presidenti amerikan Donald Trump nuk mori pjesë, por qëndrimi i tij i fortë i dha zemër aleatëve të SHBA-së në bllokimin e çdo hapi mbi karburantet fosile.
Kina, nga ana tjetër, qëndroi e heshtur politikisht dhe u fokusua te marrëveshjet ekonomike.
Li Shuo tha: “Kina mbajti profil të ulët dhe u përqendrua te biznesi real. Dhe me dominimin e saj në energjinë diellore, e ardhmja i takon asaj.” – tha ai.
“Energjia diellore është tashmë më e lira. Drejtimi afatgjatë është i qartë,” – tha ai.
Në fund, COP30 tregoi se konsensusi ndërkombëtar për klimën është më i brishtë se kurrë. Në mungesë të një formule të re, procesi rrezikon të mbetet prapa realitetit, ndërsa bota përballet me pasojat e ngrohjes globale.