Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky: Jemi përballë një zgjedhjeje shumë të vështirë, ose humbje dinjiteti, ose rrezik humbjeje të partnerit kryesor



Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi të premten se Ukraina po i nënshtrohet një presioni “të jashtëzakonshëm” lidhur me draft-marrëveshjen e fundit të propozuar nga SHBA dhe Rusia, e cila parashikon më shumë lëshime nga Kievi sesa nga Moska. Ai paralajmëroi se vendi mund të përballet me “njërin nga momentet më të vështira në historinë tonë”, përcjell Euronews.

Zelensky theksoi se Ukraina duhet të bëjë gjithçka që fundi i luftës të mos nënkuptojë “fundin e Ukrainës”. Sipas tij, dy pika nuk duhen anashkaluar në asnjë marrëveshje: dinjiteti dhe liria e ukrainasve.

“Ukraina mund të përfundojë përballë një zgjedhjeje shumë të vështirë: ose humbje dinjiteti, ose rrezik humbjeje të një partneri kyç,” deklaroi ai. “Ose pranojmë 28 pika të vështira, ose përballemi me një dimër shumë të ashpër dhe rreziqe të tjera.”

Sipas planit të rrjedhur në media, Rusia kërkon:

  • Që Krimea, Luhansk dhe Donetsk të njihen de facto si territor rus, përfshirë edhe nga SHBA.

  • Tërheqjen e trupave ukrainase nga rajoni i Donetskut dhe shpalljen e një zone neutrale të demilitarizuar, e cila do të njihej ndërkombëtarisht si territor rus.

  • Kufizim të forcave të armatosura ukrainase në 600 mijë trupa.

  • Ndalesë të përhershme për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke e sanksionuar në kushtetutë.

  • Që NATO të përfshijë në statut ndalimin e pranimit të Ukrainës në të ardhmen.

  • Mos-zgjerim të mëtejshëm të NATO-s dhe mosvendosje të trupave të saj në territorin ukrainas.

Në këmbim, Moska ofron një armëpushim në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia, përgjatë vijës aktuale të kontaktit, si dhe zotime të paqarta për “mos-agresion” ndaj vendeve të tjera.

Rusia kërkon:

  • Heqjen graduale të sanksioneve ekonomike.

  • Rikthim në G8.

  • Një marrëveshje të gjerë ekonomike me SHBA për bashkëpunim në energji, burime natyrore, teknologji dhe projekte të tjera në Arktik.

  • Amnisti të plotë për të gjitha palët për veprimet gjatë luftës – duke përjashtuar kështu çdo përgjegjësi për krimet e luftës në Ukrainë.

Ukraina, së bashku me BE dhe më herët SHBA, kishte propozuar ngrirjen e konfliktit përgjatë vijës aktuale të frontit, të ndjekur nga negociata të mëtejshme – një qasje krejt tjetër nga drafti i SHBA–Rusi.

Zelensky theksoi se Ukraina nuk mund të pranojë një marrëveshje që cënon sovranitetin, territorin dhe dinjitetin e vendit:

“Jeta pa liri, pa dinjitet, pa drejtësi… është ajo që po na kërkohet të pranojmë nga dikush që na ka sulmuar dy herë.”