
Dhjetë sindikata kryesore në Indi kanë kritikuar ashpër qeverinë për hyrjen në fuqi të kodeve të reja të punës, duke i cilësuar ato si “mashtrim të rrezikshëm ndaj punëtorëve të vendit”. Koalicioni, i njohur si Joint Platform of Central Trade Unions, publikoi një deklaratë të premten mbrëma, ku njoftoi organizimin e protestave kombëtare më 26 nëntor, përcjell DW.
Qeveria e kryeministrit Narendra Modi ka vënë në zbatim katër kode pune të miratuara nga parlamenti pesë vite më parë:
Kodin për pagat
Kodin për marrëdhëniet industriale
Kodin për sigurinë shoqërore
Kodin për sigurinë dhe shëndetin në punë, si edhe kushtet e punës
Qeveria argumenton se këto reforma modernizojnë rregulloret e vjetra, disa që datojnë nga periudha koloniale britanike, thjeshtojnë procedurat për bizneset, nxisin investimet dhe forcojnë mbrojtjen e punëtorëve. Sipas Ministrisë së Punës, ndryshimet synojnë “të krijojnë një fuqi punëtore të përgatitur për të ardhmen dhe industri më të qëndrueshme”.
Në sektorin privat, veçanërisht në industri, prej kohësh ka pasur thirrje për rishikimin e legjislacionit të punës. Megjithatë, Shoqata e Sipërmarrësve Indianë paralajmëroi se rregullat e reja do të rrisin ndjeshëm kostot për ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe kërkoi mbështetje tranzitore nga qeveria.
Sindikatat janë kundër reformave që prej miratimit të tyre dhe kanë organizuar protesta të shumta vitet e fundit. Ato pranojnë se ka përfitime si pagesa minimale dhe kujdes më i gjerë social, por paralajmërojnë se kodet i japin kompanive më shumë hapësirë për të punësuar dhe pushuar punëtorë.
Në deklaratën e përbashkët, sindikatat dënojnë “zbatimin unilateral të kodeve anti-punëtor dhe pro-punëdhënës”. Ato u bëjnë thirrje punëtorëve në të gjithë sektorët “të ngrihen në revoltë” më 26 nëntor.
Protestat pritet të shënojnë një tjetër përplasje të madhe mes sindikatave dhe qeverisë Modi mbi drejtimin e reformave ekonomike në vend.