
Një ditë pasi çështja e ministres Belinda Balluku u çua në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një fjalim të ish-prokurorit federal amerikan, Robert H. Jackson, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë së pavarur dhe integritetin e prokurorit. Postimi vjen pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Ballukut.
Në postimin e tij, Rama citon Jackson: drejtësia duhet të jetë e pavarur, por jo e papërgjegjshme; e fortë, por jo e verbër ndaj kufijve kushtetues. Kryeministri nënvizon se roli i prokurorit kërkon integritet, paanshmëri dhe respekt të plotë për ligjin dhe qytetarin.
Rama shprehet se fjalimi i Jackson-it, mbajtur në vitin 1940, mbetet një udhërrëfyes për çdo sistem ligjor demokratik. Ai thekson se fuqia e prokurorit është e jashtëzakonshme, por duhet përdorur me vetëpërmbajtje dhe drejtësi, për të mbrojtur qytetarët nga abuzimi dhe ndjekjet e panevojshme penale.
Jackson kishte vënë theksin te rreziku që prokurori i keq mund të bëhet një nga forcat më të rrezikshme në një vend, nëse fuqia e tij përdoret për të ndëshkuar njerëz të papëlqyer, dhe jo për të ndjekur krimin e vërtetë.
Rama përfundon duke nënvizuar se cilësitë e një prokurori të mirë janë ndershmëria, integriteti, paanshmëria, guximi dhe vendosmëria, dhe se misioni i tij kryesor nuk është të fitojë çështje, por të bëjë drejtësi.