
Gjykata e Lartë e Brazilit ka urdhëruar ndalimin para gjyqit të ish-presidentit Jair Bolsonaro, vetëm pak ditë para se ai të niste vuajtjen e dënimit prej 27 vitesh burg për drejtimin e një përpjekjeje për grusht shteti.
Sipas mediave braziliane, të cituara nga Euronews, Bolsonaro ishte nën arrest shtëpie me byzylyk elektronik, por gjykata ka vendosur ta transferojë në burg si masë sigurie dhe për ruajtjen e rendit publik, pas thirrjeve për vigilje jashtë shtëpisë së tij dhe dyshimeve se ai mund të kishte tentuar të arratisej.
Arrestimi u krye rreth orës 06:00 të mëngjesit të së shtunës. Ai u mor nga banesa e tij në një lagje të pasur të Brasilias dhe u dërgua në selinë e Policisë Federale.
Gjykatësi Alexandre de Moraes deklaroi se masa duhet të zbatohet me respekt për dinjitetin e ish-presidentit, pa pranga dhe pa ekspozim para mediave. Në vendim përmendet edhe një përpjekje e mundshme për heqjen e byzylykut elektronik, duke treguar “qëllim për arratisje”.
Avokatët e tij kishin kërkuar që Bolsonaro të lejohej ta vuante dënimin në arrest shtëpie për shkak të problemeve shëndetësore, por ky apel u refuzua.
Mbështetës të tij pritet të mblidhen në protestë pranë selisë së Policisë Federale gjatë fundjavës, duke pretenduar se ai po përndiqet politikisht.
Sipas ligjit brazilian, çdo person i dënuar duhet të nisë vuajtjen e dënimit në burg, por ende nuk është e qartë nëse Bolsonaro do ta kryejë dënimin në të njëjtin institucion ku ndodhet aktualisht.